Përfaqësuesi i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), Valmir Gashi, prezantoi në konferencën tre-ditore ‘Energjizimi i qeverisjes lokale në Kosovë përmes përfshirjes së qytetarëve’ mbajtur në Berlin, nën organizimin e Paktit të Stabilitetit të Evropës Juglindore, të mbështetur nga Zyra Federale e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.
Prezent në këtë konferencë ishin përfaqësues nga ministritë e linjës, kryetarë të komunave, përfaqësues nga organizata ndërkombëtare, përfaqësues nga Kroacia, përfaqësues nga Zyra Federale e Punëve të Jashtme, dhe përfaqësues nga Asociacioni i Evropës Juglindore.
Në prezantimin e tij, z. Gashi ka pasqyruar sistemin e qeverisjes dhe sfidat/hendeqet me të cilat përballen komunat në Republikën e Kosovës, nisur nga paqartësitë dhe dykuptimësitë ligjore, bashkëpunimin dhe koordinimin inter-institucional, funksionalizimin dhe qëndrueshmërinë e komunave, ndërmarrjet publike, kapacitetet e limituara dhe ofrimin efikas të shërbimeve.
Shumica e komunave në Republikën e Kosovës, për të mos thënë të gjitha, hasin probleme në implementimin e Ligjeve të cilat prekin qeverisjen lokale. Për më tepër, relacioni në mes nivelit qendror dhe lokal mbetet i fragmentuar. Kjo pastaj pengon akterët institucionalë të nisin një proces mirë të planifikuar për reformën e qeverisjes lokale, gjë e cila do të reflektonte në funksionalitet dhe performancë më të mirë.
Sa i përket funksionalitetit dhe qëndrueshmërisë të komunave, z. Gashi theksoi se ka mungesë të kapaciteteve njerëzore njëherësh mungesë të praktikave dhe procedura të avancuara. Andaj, kjo qon deri në konsekuenca të papapritura në relacion me menaxhimin e resurseve humane publike, financave publike apo ofrimin efikas të shërbimeve.
Z. Gashi konkludoi se çdo punë në teren kërkon përfshirje të shoqërisë civile, komunitetit jo-mazhoritar, media lokale, ekspertë dhe profesionistë. Për më tepër, në takime të ndara me akterët prezent, z. Gashi u dakordua që të vazhdojnë bashkëpunimet dhe të organizojnë takime për të adresuar temat kyçe në fushën e qeverisjes lokale.