Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) organizoi punëtorinë e radhës me temën, “Praktikat e digjitalizimit dhe inovacionit në nivel lokal”. Pjesëmarrës në punëtori ishin Drejtorët e Administratës Publike nga Komunat e Kosovës.
Gjatë punëtorisë u diskutua për rëndësinë e të dhënave të hapura (Open Data) në qeverisjen lokale në procesin e hartimit të politikave të bazuara në evidencë, si dhe problemet kryesore të cilat qytetarët dhe zyrtarët komunalë i hasin në komunën e tyre.
Përmes të dhënave të hapura mund të zhvillojmë një zgjidhje digjitale, e cila do të përfaqësojë interesat dhe nevojat e të gjithë qytetarëve, duke shkëmbyer ide për të planifikuar zgjidhje për sfidat e qeverisjes dhe demokratizimit në komunat e Kosovës.
Transformimi digjital dhe inovacioni janë faktorët kryesorë që ndikojnë në përmirësimin dhe funksionimin e administratës publike. Parasë gjithash, mundësia e qasjes në të dhënat dhe informacionet e qeverisjes lokale, u ofron qytetarëve njohuri më të mëdha për aktivitetet e komunës, shpërndarjen e shërbimeve dhe buxhetit. Ky proces ndihmon në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në qeverisjen lokale.
Instituti KLGI u është përkushtuar analizave dhe studimeve që i kontribuojnë praktikave efektive të qeverisjes lokale në Kosovë. Njëkohësisht, nëpërmjet programeve edukative punon në ngritjen e kapaciteteve të komunave të vendit.
Aktiviteti u realizua në kuadrin e programit ‘Dialogu për Komunat Evropiane’ (DEM), i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.