Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), në kuadër të Programit për Angazhim Qytetar i cili zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë, zbaton një sërë aktivitetesh me qëllim të përfshirjes së organizatave të shoqërisë civile (OShC) në monitorimin e transparencës dhe konsultimit publik në komuna.
Në këtë drejtim, KLGI-ja fton të gjitha OShC-të/aktivistë/e të interesuara të aplikojnë në monitorimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Administratë të Hapur në Komunë (Nr.04/2023). Monitorimi do të realizohet nga OShC/aktivistë/e, në së paku 28 komuna të shpërndara në 8 rajone të përcaktuara më poshtë. Për monitorimin e komunave të një rajoni, do të përzgjidhen 5 deri 8 organizata/aktivistë/e të cilët do të mentorohen dhe kompensohen nga KLGI.
Procesi i përzgjedhjes do të përfshijë dy hapa:
Hapi I: 15 OShC/aktivistë/e do të përzgjidhen për trajnim/punëtori treditorë (sesioni i parë trajnim njëditor për bazën ligjore dhe formën e organizimit dhe funksionimit të qeverisjes lokale), (sesioni i dytë – një ditë trajnim i kombinuar me punëtori për monitorimin e financimit publik dhe një ditë për monitorimin e konsultimit publik).
Hapi II: 5 deri 8 OShC/aktivistë/e do të përzgjidhen nga trajnimi për monitorimin e komunave të ndara në 8 rajone.
Kush mund të aplikojë dhe cilat janë kriteret e aplikimit?
Të drejtë aplikimi kanë:
- Të gjitha organizatat joqeveritare të regjistruara në Kosovë, aktivistë/e apo grupet joformale që mund ta dëshmojnë aktivitetin e tyre;
- Kanë të paktën tri vite përvojë të angazhimit në komunitet;
- Kanë përvojë bazike në procese monitoruese të institucioneve publike.
Si të aplikoni?
Të interesuarit/at ftohen të dërgojnë:
- Certifikatën e regjistrimit të lëshuar nga institucioni përkatës; kurse për grupe joformale, një dëshmi që konfirmon aktivitetin e grupit;
- Formularin e plotësuar me të dhënat e organizatës/aktivistit/grupit;
- Dëshmi se janë angazhuar në komunitet në tri vitet e fundit.
Të gjitha këto dokumente duhet të dorëzohen në mënyrë elektronike përmes e-mail: info@klgi- ks.com. Vetëm organizatat/aktivistët që hyjnë në listën e ngushtë të përzgjedhjes do të njoftohen.
KLGI-ja dhe KCSF-ja ruajnë të drejtën për ri-negocim apo ri-përcaktim të komunave të cilat do të monitorohen nga aplikantët.
Për informata shtesë mund të kontaktoni përmes telefonit në numrin: +383 (0) 38 522 000.
Afati i fundit për aplikim: 26 Qershor 2024
KLGI-ja ka hartuar metodologjinë për monitorimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Administratë të Hapur në Komunë (Nr.04/2023).
Kjo metodologji do të zbatohet në rajonet e përcaktuara si në vijim:
- Prishtinë (Komuna e Prishtinës, Podujevës, Drenasit, Lipjanit, Fushë-Kosovës dhe Obiliqit).
- Prizren (Komuna e Prizrenit, Suharekës, Mamushës, Dragashit dhe Malishevës).
- Mitrovicë e Jugut (Komuna e Mitrovicës së Jugut, Vushtrrisë dhe Skenderajt).
- Mitrovicë e Veriut (Komuna e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit).
- Gjilan (Komuna e Gjilanit, Kamenicës, Vitisë, Ranillugut, Parteshit, Kllokotit, Graçanicës dhe Novobërdës).
- Ferizaj (Komuna e Ferizajt, Kaçanikut, Shtimes, Hani i Elezit dhe Shtërpcës).
- Pejë (Komuna e Pejës, Istogut dhe Klinës).
- Gjakovë (Komuna e Gjakovës, Junikut, Rahovecit dhe Deçanit).
Angazhimi i aplikantëve të përzgjedhur do të ndahet në fazat si më poshtë:
Faza 1: Trajnimi/mentorimi për Metodologjinë e Monitorimit të Transparencës dhe Konsultimeve Publike në Komuna
Faza 2: Mentorimi mbi të dhënat e përgjithshme të raporteve për transparencë dhe konsultime publike; Vlerësimi i fazës së përgatitjes teknike dhe planifikimit të transparencës dhe konsultimeve publike;
Faza 3: Mbledhja e të dhënave vjetore dhe individuale të vlerësimit të transparencës dhe konsultimeve publike;
Faza 4: Verifikimi i të dhënave; plotësimi i tabelave përmbledhëse të monitorimit;
Faza 5: Hartimi i raportit, follow-up me OShC-të dhe publikimi i raportit.
Kjo metodologji do të zbatohet për vitin kalendarik janar – dhjetor 2024 dhe në fund të monitorimit do të hartohet një raport me të gjetura dhe rekomandime të cilat do të prezantohen nga KLGI-ja dhe KCSF-ja.
Linku i thirrjes dhe formularit për aplikim: https://bit.ly/THIRRJEOSHC2024