Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, në kuadër të realizimit të projektit për Auditimin Social në Komuna, ka themeluar ekipin e auditimit social në Komunën e Kaçanikut.
Në bashkëpunim me Organizatën Lokale Gjethi, u organizua trajnimi fillestar për ekipin e auditimit social , që përbëhet nga qytetarë të profileve të ndryshme profesionale, përfaqësues të organizatave lokale, të rinj, dhe anëtarë të tjerë të komunitetit. Grupi siguron një përfaqësim gjithëpërfshirës dhe adreson nevojat e ndryshme të komunitetit në këtë proces .
Pjesëmarrësit e trajnimit zhvilluan njohuritë e tyre në lidhje me funksionimin e qeverisjes lokale , mekanizmat për përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje , si dhe konceptet dhe hapat e auditimit social. Aftësitë e fituara do t’u mundësojnë atyre të kryejnë auditime të pavarura dhe të bazuara në standardet më të larta të transparencës .
Ekipi i auditimit social në Kaçanik do të shqyrtojë dy projekte të financuara nga Granti i Performancës, ku do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet lokale për të siguruar zbatimin e rekomandimeve të tyre.
Projekti për Auditimin Social mbështetet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe synon të forcojë transparencën, llogaridhënien dhe përfshirjen qytetare në proceset vendimmarrëse.