You are currently viewing Tahiri prezanton modelet e qeverisjes lokale në LGiU në Londër

Tahiri prezanton modelet e qeverisjes lokale në LGiU në Londër

Drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), Besnik Tahiri, i cili po qëndron në Londër për një vizitë pune, të mërkurën ka prezantuar para ekipit të Institutit Anglez për Qeverisje Lokale LGiU në Mbretërinë e Bashkuar modelet e qeverisjes lokale në Evropën Jug-Lindore.

Gjatë prezantimit të tij, fokus të veçantë ka pasur sistemin e Kosovës dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

Ai duke analizuar procesin e decentralizimit, tha se procesi i reformës lokale rrezikon të dështojë në rast se edhe më tej vazhdon të mungojë përkrahja e Qeverisë Qendrore karshi asaj Lokale.

“Për të pasur një qeverisje lokale të fortë dhe efikase është e rëndësishme që një vëmendje e veçantë t’i kushtohet planifikimit strategjik dhe zhvillimit ekonomik. Andaj në afat të gjatë vetëm ato komuna që mund të kenë planifikim strategjik dhe arrijnë të gjenerojnë zhvillim ekonomik lokal do të jenë në gjendje të ofrojnë gamë të gjerë të shërbimeve, dhe gjithashtu mund të përmirësojnë performancat e administratës së tyre dhe anasjelltas”, ka theksuar Tahiri.

Ai po ashtu, ka folur për decentralizimin në rajon, duke pasqyruar procesin e reformave. Ai ka shpjeguar që Ballkani duhet të kalojë nga decentralizimi politik në atë funksional.

Sipas Tahirit, është domosdoshmëri që në gjithë rajonin të ndodh një ri-shikim funksional i decentralizimit, i cili do të kryhej sistematikisht, sektor për sektor, dhe fushë funksionale për fushë funksionale.

Në të kundërtën, siç ka thënë ai, entitetet e qeverisë komunale dhe ato nacionale do të vazhdojnë të operojnë me shërbime të dobësuar dhe duke ulur nivelin e transparencës dhe llogaridhënie nga të dy nivelet e qeverisjes.

Më vonë, ai është takuar edhe me shefin ekzekutiv të institutit LGiU, Jonathan Carr-West, për të diskutuar në detaje potencialin për partneritet./InfoKomuna/

Lini një Përgjigje