Vrojtim nga menaxheri i programeve z. Besnik Muçaj, lidhur me atë që po quhet referendumi i parë në Kosovë.
Nisur nga fryma Kushtetuese, Republika e Kosovës njeh të drejtën e referendumit apo thënë më mirë votimin popullor për ato vendime qofshin të përgjithshme apo të veçanta. Edhe për kundër kufizimeve në çështjet (ligjet) vitale që nuk mund të ndryshohen me referendum, qytetarëve tash e tetë vite pas miratimit të Kushtetutës nuk u njihet e drejta për të vendosur mbi çështje të caktuara.
Ndërkaq, trajtuar në një shkallë tjetër atë të qeverisjes lokale mund të konstatohet se vetë sistemi zgjedhor e njeh secilën komunë si njësi të veçantë zgjedhore. Parë nga kjo, edhe Ligji për Vetëqeverisje Lokale i ka vendosur edhe kuotat (përqindjet) për peticione, largimi të kryetarit dhe referendumit.
Edhe pse vetë Ligji për Vetëqeverisje Lokale shpërfaq paqartësi, ku në kreun e nëntë (IX) demokracia e drejtpërdrejtë dhe mekanizmat e pjesëmarrjes së qytetarëve, më saktësisht në nenin 71 flet për referendumin.
Por, pyetja shtrohet se në cilat raste dhe në cilat çështje mund të organizohet referendumi pa pasur ligjin për referendum?
Ligji për Vetëqeverisje Lokale, në nenin 71 në mënyrë literale qartëson, përcakton dhe kufizon çështjet që mund të dalin në referendum.
E në pikat vijuese ky nen saktëson si në vijim:
71.1 Qytetarët e Komunës mund të kërkojnë që rregullorja e kuvendit të komunës e miratuar nga kuvendi i komunës, t’i nënshtrohet referendumit.
71.2 Kërkesa duhet t’i dorëzohet kryesuesit të kuvendit të komunës, brenda 30 ditësh nga data e miratimit të rregullores e cila duhet të nënshkruhet nga 10% e votuesëve të regjistruar.
71.3 Kuvendi i komunës duhet ta shqyrtojë kërkesën brenda 30 ditësh pas pranimit të peticionit, në pajtim me ligjin në fuqi.
Pra, bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, qytetarëve u jepet e drejta për të vendosur mbi rregullativën komunale, bazuar në procedurat e nënvizuara. Thënë më qartë, qytetarët mund të vendosin për formën e rregullimit të çështjeve lokale duke ndjekur procedurat e parapara. Por, vetë referendumi pa një ligj të veçantë dhe pa ndonjë udhëzim administrativ në fushën e qeverisjes lokale bëhet krejt i paqartë, dhe në fakt, tani ka hapur një derë e cila nuk mbyllet lehtë.
Duhet theksuar se deri më tani, rasti i parë që u hodh në “referendum” është një çështje e specifike për banorët e fshatit Dubravë me vetëm një pyetje që lidhej me lokacionin e ndërtimit të xhamisë, propozuar nga Bashkësia Islame në atë komunë. Me “pro apo kundër,” banorët morën vendimin, dhe për disa kjo çështje mori epilog. Por, se a është ky “referendum” në rregull, në bazë të procedurave mbetet ende e paqartë.
Në njoftim thuhet se “referendumi” është shpallur me vendim të kryetarit dhe shihet se nuk ka buruar nga qytetarët (10%) të votuesve të regjistruar, nuk ka kaluar në kuvend komunal dhe si i tillë nuk është e qartë se si mund të quhet e gjitha kjo. Pas parasysh se ligji shprehimisht thekson se 10% e votuesve të regjistruar nënkupton një masë të gjerë, dhe krahasuar me numrin e votuesve kjo mund të shkojë deri në 30%. Në këto korniza, referendumi parasheh një organizim shumë efikas duke futur në lëvizje mekanizmat zgjedhor, në këtë rast Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) si i vetmi autoritet mbi këto çështje.
Por, a duhet trajtuar kjo çështje si e izoluar?
Shpresoj se jo, andaj shpresoj për një qasje pro-aktive të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe vetë Qeverisë duke qartësuar në plotni së paku këto aspekte: se a janë zbatuar procedurat?, a është zbatuar ligji? Dhe në mënyrë të veçantë të qartësohet jo vetëm kjo çështje por edhe për ato që mund të dalin pas hapjes së këtij shtegu.
Ky rast, përveç që ka krijuar një paqartësi, në vete është edhe një indikator se si do të reagojnë institucionet e Republikës së Kosovës karshi këtyre dykuptimësive apo paqartësive ligjore.
Referendumi i Dubravës është një dhe jo e vetmja çështje që qeverisja lokale përballet me paqartësitë ligjore dhe me veprimet ad-hoc të vendimmarrësve në nivelin lokal. Ka shumë raste kur zbatueshmëria e ligjit merr trajta dhe dimensione varësisht nga interpretimet.
Është koha e fundit ku ligjet të lexohen në vetëm një formë; në gjuhën e ligjit, dhe të praktikohen vetëm në parimin e ligjshmërisë, pra me respektimin e përpiktë dhe pa kushte të ligjeve dhe akteve nën ligjore nga gjithë akterët lokal dhe qendror, në të kundërtën secila komunë është një polis në vete.