Në ditën e dytë të vizitës studimore në Republikën e Maqedonisë që po mbahet në kuadër të programit modular për bashkëpunim ndër-komunal vizituam komunën e strugës ku delegacioni u prit nga kryetari i komunës z. Ramiz Merko dhe kryesuesi i këshillit z. Resul Kaba. Në takim u shtruan shumë çështje nisur nga funksionimi i komunës, projektet zhvillimore, bashkëpunimi ndër-komunal, ndërmarrjet publike, zhvillimi ekonomik lokal e deri tek planifikimi strategjik.
Kryetari Merko njoftoi pjesëmarrësit për hapat që ka ndërmarrë kjo komunë në nxitjen dhe thithjen e investimeve direkte. Me theks të veçantë foli për potencialin zhvillimor që ka komuna e Strugës përmes shfrytëzimit të tokës komunale. U.d i Drejtorit Ekzekutiv të Institutit KLGI, z. Besnik Muçaj foli me interes për formën e bashkëpunimit ndër-komunal dhe u interesua për projektet zhvillimore regjionale që përdorin komunat e Maqedonisë për projektet e mëdha investive.
Në takim pjesëmarrësit e komunave shtruan interesin për forcimin e bashkëpunimit rajonal mes komunave nëpërmjet binjakëzimit. Njëkohësisht u trajtua forma e menaxhimit të ndërmarrjeve publike si instrumente të rëndësishme të komunave.
Ky program mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.