Zhvillimi ekonomik lokal kërkon agjendë të përbashkët të akterëve në funksion të zhvillimit

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) mbajti sesionin trajnues me temën “Korniza e Financave Lokale dhe Planifikimin Financiar, i cili kishte për qëllim shpalosjen e problemeve nga komunat, njëherit të jepen rekomandime/propozime konkrete për të lehtësuar dhe përmirësuar procesin e planifikimit të buxheteve.

Pjesëmarrës në këtë sesion trajnues ishin drejtorët e Drejtorive për Buxhet dhe Financa nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Është tejet e rëndësishme që komunat të shikojnë mundësitë për financim në mënyrë që të arrijnë planifikim të qëndrueshëm dhe të ruajnë stabilitetin financiar.

Për ta vënë buxhetin në funksion të zhvillimit, duhet avancuar ndërlidhjen e planifikimit të politikave me planifikimin buxhetor. Andaj, gjatë procesit buxhetor të përkufizohet ndërlidhja në mes prioriteteve strategjike zhvillimore të komunave dhe planifikimit fiskal afat-mesëm, sidomos duke përfshirë këtu informata për performancën sipas programeve buxhetore dhe klasifikimit funksional.

Drejtori ekzekutiv i Institutit KLGI, z. Besnik Muçaj, në hapje të sesionit trajnues vuri theksin tek Ligji për Financat e Pushteti Lokal, duke thënë se grupi punues dhe akterët tjerë kanë bërë një punë të mirë në këtë ligj dhe se rezultatet do të shihen shpejt. Por, kur jemi tek planifikimi i buxheteve është tejet e rëndësishme që të reflektojë në arritjen e strategjive për zhvillim ekonomik lokal. Para kësaj, është e rëndësishme që këto strategji të jenë reale dhe ta kenë vlerësimin financiar.

Drejtori i Buxhetit në Ministrinë e Financave, z. Salvador Elmazi, prezantoi konceptin për Financat Lokale dhe Impaktin në zhvillimin ekonomik lokal. Agjenda e zhvillimit ekonomik lokal përfshinë strategjinë e përbashkët në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm. Komunat me përkushtimin e tyre gjatë procesit buxhetor duhet të bashkëpunojnë ngushtë me ministritë sektoriale të linjës për adresimin e sfidave të identifikuara.

Udhëheqësi për ekzekutimin e buxhetit në Ministrinë e Financave, z. Jeton kryeziu, foli për planifikimin, menaxhimin dhe kontrollin financiar komunal, njëherit për dy sisteme elektronike për përgatitjen e buxhetit: Sistemin e Zhvillimit dhe Menaxhimit të Buxhetit (SZHMB), dhe Programin e Investimeve Publike (PIP).

Ky është trajnimi i parë që mbahet në kuadër të projektit “Programi për Politikat Publike – Financat dhe Zhvillimi Ekonomik Lokal. Aktiviteti organizohet në kuadër të programit në ‘Mbështetje të Komunave të Forta dhe të Qëndrueshme (SSSM)’, e që për qëllim ka analizën e situatës aktuale të kornizës së financave lokale, e po ashtu planifikimin, menaxhimin dhe kontrollin financiar në nivel lokal.