Sistemi nën-komunal mekanizëm kyç për përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) organizoi punëtorinë me temën “Projekt-Udhëzimi Administrativ për Organizimin, Funksionimin dhe Bashkëpunimin e Komunave me Fshatra, Vendbanimet dhe Lagjet Urbane”.

Punëtoria bëri bashkë përfaqësues nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, nga Kuvendet Komunale dhe anëtarë të shoqërisë civile për të diskutuar dhe për të dhënë propozimet konkrete për finalizimin e këtij Projekt-Udhëzimi Administrativ.

Ky Udhëzim Administrativ ka për qëllim që të rregullojë organizmin, funksionimin dhe bashkëpunimin e komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane, në ushtrimin e aktiviteteve që janë në përgjegjësi dhe kompetencë të komunës.

Para se gjithash, këshillat lokale si trupa mbështetëse të organeve të komunës do të ndikojnë në konsultime gjithëpërfshirëse, të cilat promovojnë dhe zhvillojnë transparencën, llogaridhënien dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset e vendimmarrjes.

Forcimi i këtyre mekanizmave ndihmon që qytetarët nga fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane të përfaqësohen në mënyrë transparente dhe të dëgjohet zëri i tyre në vendimmarrjen komunale. Pra, janë një urë lidhëse që në mënyrë të organizuar t’i përfaqësojnë interesat që ka secili komunitet.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit ‘Mbështetje për Komuna më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.