Procesi i përmirësimit të shërbimeve sociale kërkon qasje gjithëpërfshirëse dhe koordinim institucional

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) mbajti punëtorinë me temën ‘Ofrimi i Shërbimeve Sociale – Sfidat dhe Nevoja për Ndryshim’ që pati për qëllim trajtimin e temave specifike që ndërlidhen me ofrimin e shërbimeve sociale.

Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin përfaqësues nga Qendrat për Punë Sociale (QPS), Drejtoritë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale; përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS); Donatorët; dhe përfaqësues të Organizatave të Shoqërisë Civile (OJQ).

Punëtoria ishte në shërbim të identifikimit të sfidave në këtë fushë, si dhe ndryshimet e nevojshme për përmirësimin e këtyre shërbimeve. Fokus i veçantë u vendos mbi nevojën për ndryshim të politikave dhe legjislacionit dhe objektivat/opsionet që janë paraqitur në Koncept-Dokumentin për Shërbime Sociale dhe Familjare.

Në hapje të punëtorisë, Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, Besnik Muçaj, diskutoi lidhur me momentumin e krijuar për zgjidhje të qëndrueshme për ofrimin e shërbimeve sociale në dy rrafshe; e para përmes financimit të qëndrueshëm dhe e dyta përmes hartimit të politikave adekuate në këtë fushë. Muçaj theksoi gatishmërinë e Institutit KLGI për të vazhduar në dhënien e kontributit në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve sociale duke rritur angazhimin edhe në forcimin e komunikimit të strukturuar në mes të Komunave dhe Qendrave për Punë Sociale (QPS).

Në anën tjetër, Eksperti i Shërbimeve Sociale, Bajram Kelmendi, fokusin e vendosi mbi një seri çështjesh që ndërlidhen me të arriturat dhe sfidat në këtë fushë. Edhe pse ka nevojë për intervenime në ofrimin e shërbimeve sociale, ka edhe progres, siç është ndërtimi dhe aprovimi i 22 standardeve minimale për shërbime sociale dhe familjare të cilat kanë luajtur rol në avancimin dhe përmirësimin e shërbimeve sociale. Megjithatë, ende kërkohet angazhim serioz dhe adresim i sfidave të cilat ndërlidhen me ofrimin e trajnimeve profesionale si proces i vazhdueshëm; avancimin dhe kombinimin e ekipeve multi-diciplinore dhe profesionale; ngritjen e mbështetjes së grupeve të cenueshme; fuqizimin e rolit të Qendrave për Punë Sociale (QPS), si dhe mbështetjen nga institucionet qendrore dhe organizatat e shoqërisë civile në këtë proces.

Ndërkaq, u.d. Udhëheqësi i Divizionit për Politika Sociale në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Mentor Morina, prezantoi lidhur me nevojën për intervenim dhe krijimin e një qasje të re në ofrimin e shërbimeve sociale. Lidhur me këtë, është tejet e rëndësishme që të ketë klasifikim të qartë të organizimit dhe financimit të shërbimeve sociale; të identifikohet masa aktuale e financimit të shërbimeve sociale; të kostohen llojet e shërbimeve sociale; të krijohet granti specifik për shërbime sociale dhe familjare, e kështu me radhë.

Ngjarja u përcjell me diskutime dhe propozime nga pjesëmarrësit prezent, ndërkaq Instituti KLGI do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet dhe ofrimin e mbështetjes në proceset që kanë efekt mbi financimin e qëndrueshëm të shërbimeve sociale, njëherësh mbi përmirësimin e politikave në këtë fushë.

Ky aktivitet realizohet në kuadrin e projektit në ‘Mbështetje të Komunave të Forta dhe të Qëndrueshme (SSSM) i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.