Planifikimi i duhur i buxheteve komunale, parakusht për zhvillim ekonomik lokal

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) mbajti sesionin trajnues me temën “Korniza e Financave Lokale dhe Planifikimin Financiar”, e cila kishte për qëllim analizën e situatës aktuale të kornizës së financave lokale, e po ashtu planifikimin, menaxhimin dhe kontrollin financiar. ​

Pjesëmarrës në këtë sesion trajnues ishin zyrtarë nga Drejtoritë për Buxhet dhe Financa nga komunat që janë nën 22 mijë banorë. ​

Për më tepër, sesioni trajnues kishte për synim që përmes shpalosjes së problemeve nga komunat të dalin rekomandime/propozime konkrete për të lehtësuar dhe përmirësuar procesin e planifikimit dhe ekzekutimit të buxheteve. ​

Përgjatë sesionit u prezantua planifikimi, menaxhimi dhe ekzekutimi i buxhetit me ipmakt në zhvillimin ekonomik lokal. Megjithatë, u theksua se agjenda e zhvillimit ekonomik lokal përfshinë strategjinë e përbashkët në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm. Njëkohësisht, Komunat me përkushtimin e tyre gjatë procesit buxhetor duhet të bashkëpunojnë ngushtë me ministritë e linjës për adresimin e sfidave të identifikuara.​

Është tejet e rëndësishme që këto komuna të shikojnë mundësitë për financim në mënyrë që të arrijnë planifikim të qëndrueshëm dhe të ruajnë stabilitetin financiar. Për ta vënë buxhetin në funksion të zhvillimit, duhet avancuar ndërlidhjen e planifikimit të politikave me planifikimin buxhetor. Andaj, gjatë procesit buxhetor të përkufizohet ndërlidhja në mes prioriteteve strategjike zhvillimore të komunave dhe planifikimit fiskal afat-mesëm, sidomos duke përfshirë këtu informata për performancën sipas programeve buxhetore dhe klasifikimit funksional.​

Në prioritetet afatmesme duhet të përfshihen objektivat kryesore të një qeverisjeje efektive drejt një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, mirëqenie më të fuqishme sociale e zhvillim sektorial.​

Instituti KLGI nëpërmes programeve edukative mbetet i përkushtuar të punojë ngushtë me institucionet qendrore dhe lokale në ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve dhe përmirësimin e politikave në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.​

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit ‘Mbështetje për Komuna më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.