Pjesëmarrja qytetare në vendimmarrje, mekanizëm kyç për përmirësim të politikave në nivel lokal

Në tryezën e diskutimit me temën “Ngritja e pjesëmarrjes qytetare në procese vendimmarrëse, veçanërisht në dëgjimet publike dhe konsultimet me qytetarë”, të organizuar nga organizata “Demokracia Fillon Këtu” në Podujevë, prezantoi drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, z. Besnik Muçaj.

Duke folur për ngritjen e pjesëmarrjes qytetare në proceset vendimmarrëse, z. Muçaj theksoi se pjesëmarrja qytetare është një proces i rëndësishëm demokratik nëpërmjet të cilit qytetarët përfshihen në proceset e vendimmarrjes me qëllim të përmirësimit të politikave publike dhe të krijimit të një sistemi bashkëpunimi në mes të institucioneve shtetërore dhe qytetarëve.

Pjesëmarrja qytetare ndikon në ngritjen e transparencës, llogaridhënien, sundimin e ligjit dhe në krijimin e një qeverisje më të hapur në përgjithësi. Niveli i pjesëmarrjes qytetare varet edhe nga faktorë të shumët të cilët lidhen me menaxhimin publik të institucioneve shtetërore. Për më shumë, një komunikim efektiv, në procesin e formulimit dhe implementimit të politikave publike, në mes të qeverisë dhe qytetarëve rezulton në përmirësimin e gjendjes së menaxhimit publik në përgjithësi dhe në rritjen e nivelit të shërbimeve publike.

Në këtë rrafsh, dëgjimet publike ofrojnë një mjet efektiv për hartuesit e politikave për t’u informuar në lidhje me shqetësimet, nevojat dhe prioritetet e komunitetit. Para se gjithash shërben për të gjetur mënyrat në të cilat kërkesat e komunitetit mund të trajtohen në mënyrë efektive. Njëkohësisht këto takime shërbejnë si mjet informues për qytetarët, por edhe si mekanizëm për marrjen e sugjerimeve nga ana e përfaqësuesve të zgjedhur komunalë.

Megjithatë, strategjitë e avancuara për pjesëmarrjen publike, promovojnë përgjegjësinë, rrisin besimin dhe forcojnë përkushtimin e vendimmarrësve drejt përmirësimit të qeverisjes.