Pjesëmarrja qytetare në hartimin e politikave publike, rrisin transparencën dhe llogaridhënien në nivel lokal

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale - KLGI organizoi punëtorinë virtuale me temën ‘Cikli i Politikave Publike në Nivelin Lokal’. Pjesëmarrës në punëtori ishin përfaqësues nga ekzekutivi dhe legjislativi i nivelit lokal, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile.

Punëtoria kishte për qëllim njohjen me ciklin e politikave publike në nivel, përkatësisht rritjen e pronësisë së publikut në politikat e nivelit lokal. Në fokus të punëtorisë ishin politikat e qëndrueshme publike me theks të veçantë përfshirjen e qytetarëve në politik-bërje si dhe sfidat dhe problemet e komunave në përfshirjen e qytetarëve në politik-bërje.

Procesi i konsultimit publik është mjaft i rëndësishëm në përmbushjen e objektivave për një qeverisje të mirë, transparente e gjithëpërfshirëse në proceset e vendimmarrjes. Ky proces bën të mundur garantimin dhe rritjen e transparencës në funksion të pjesëmarrjes së publikut dhe grupeve të interesit në proceset politikë-bërjes.

Andaj, politika publike nënkupton marrëdhëniet dhe ndërveprimin e vazhdueshëm të organeve shtetërore me ambientin e gjerë shoqëror. Para se gjithash, politikat publike janë aktivitet i orientuar drejt zgjidhjes së problemeve publike në mjedis, dhe kjo bëhet nëpërmjet akterëve publikë, raportet e të cilëve janë të strukturuar dhe ndryshojnë në kohë.

Instituti KLGI punon dhe i është përkushtuar analizave dhe studimeve që i kontribuojnë praktikave efektive të qeverisjes lokale në Kosovë. Po ashtu, nëpërmes programeve edukative punon në ngritjen e kapaciteteve të komunave të vendit.

Ky aktivitet u realizua në mbështetje të Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung (FES).