LGA, platformë dhe mjet i ndryshimit

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale mbajti konferencën vjetore dhe ceremoninë e lansimit të Programit “Akademia për Qeverisje Lokale (LGA) – Gjenerata e Gjashtë,” Ngjarja ishte edhe një qasje e angazhimit të Institutit KLGI me synimin për të nxitur dhe promovuar zhvillimet për arritjen e objektivave të reja në nivelin lokal.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, z. Besnik Tahiri, duke uruar vijuesit e kësaj gjenerate, theksoi se KLGI, do të mbetet e përkushtuar që së bashku me partnerët, të promovojë, avancojë edhe më tutje zhvillimin e qëndrueshëm të komunave, si rruga e vetme e konsolidimit demokratik dhe ecjes drejt integrimit evropian.

Në fjalën e tij, ai ndau dy konstatime, si mesazh për komunat dhe zyrtarët pa përjashtim: ‘vetëm një qeverisje lokale e fortë mund të rris kredencialet e një shteti funksional dhe demokratik’ dhe se ‘aspirimi në familjen evropiane nuk mund të arrihet pa i bërë themelet e forta në nivelin lokal.’ Theksoi Tahiri.

Në vijim z. Tahiri prezantoi sfidat dhe sukseset e qeverisjes lokale në vitin 2016, dhe po ashtu perspektiven për vitin 2017 të dala nga programi dhe puna e Institutit KLGI. Për t’u kthyer më pastaj me trajtimin fushave kyçe të qeverisjes lokale: Legjislacioni; qeverisja e mire; financat lokale; perfomanca komunale; planifikimi strategjik; demokratizimit; integrimi i komunave dhe reforma.

Folës kryesorë në këtë ngjarje ishin Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, Z. Besnik Tahiri; Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë, z. Per Strand Sjaastad; Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami dhe Zv. Ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Bajram Gecaj.

Përpos prezantimit të programit LGA, konferenca trajtoi këto tema: Modeli Norvegjez i edukimit profesional dhe mësimet që duhet të ndjek Kosova; Edukimi profesional si përgjigje ndaj sfidave praktike; Roli i MAPL në avancimin profesional kundrejt procesit të reformës.

Prezent në këtë ngjarje ishin edhe partnerë të KLGI-së, kryetarë të komunave, përfaqësues të ministrive të linjës, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, LGA Alumni, media dhe studiues të qeverisjes lokale.

Përmes një dokumentari u prezantua edhe programi i avancuar i trajnimit për zyrtarët e nivelit lokal, si formë e familjarizimit të gjeneratës së gjashtë me aktivitetet, qëllimet dhe impaktin e programit LGA.

LGA është rrejti më i madh i zyrtarëve komunal, program i avancuar trajnues ku përfshin ligjërata, sesione trajnimi, shkëmbim përvojash, work-shope dhe diskutime në interes të akterve lokal.