Kur komuna ka rezultate, shteti ka sukses

Në zyrat e Institutit KLGI u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit për hartimin e Projektligjit për Financat e Pushtetit Lokal nga ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe drejtori ekzekutiv i Institutit KLGI, Besnik Tahiri (Zyrat e Institutit KLGI).

Në këtë ceremoni ishte prezent edhe Menaxheri i Programeve në DEMOS Norbert Pijls, mbështetës i draftimit të LFPL, si njëri ndër më vitalët në ofrimin e efikasitetit dhe qëndrueshmërisë së komunave.

Objektivi i përgjithshëm i këtij bashkëpunimi në mes Ministrisë së Financave dhe Institutit KLGI në draftimin e LFPL, ka të bëjë me një proces të gjerë të konsultimit, përkushtimit profesional dhe mbështetjes teknike përgjatë gjithë procesit.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, fillimisht ka falënderuar Institutin KLGI dhe drejtorin Tahiri për gatishmërinë e shfaqur për të punuar në këtë projekt të rëndësishëm duke pasur parasysh përvojën në fushën e qeverisjes lokale. Andaj së bashku të bëhet një reformë legjislative për financat e pushtetit lokal duke përcaktuar vlerat për shpërndarjen e buxhetit në komuna dhe krijimin e një kornize ligjore që mundëson komunat të maksimizojnë resurset e tyre. Sipas Ministrit Hoti, ky nuk do të jetë vetëm një bashkëpunim i përkohshëm, por një bashkëpunim afat-gjatë me qëllimin për tu zgjeruar në mbështetje të partnerëve dhe komunave në zbatimin e këtij legjislacioni.

Ndërkaq, Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, Besnik Tahiri, ka potencuar se Ligji për Financat e Pushtetit Lokal është themeli i një qëndrueshmërie në nivelin komunal. Tahiri e cilëson këtë moment si të volitshëm që financat lokale të analizohen më thellë dhe të përcaktohen kritere të qarta, të sakta dhe reale. Për të pasur një shtet të suksesshëm, komunat duhet të krijojnë rezultate. Andaj, ai qëndron i bindur se përmes këtij Memorandumi të Bashkëpunimi do të bëhet një prezantim i mirë dhe do të rritet funksionimi dhe kapacitetet menaxhuese për komunat. 

Në anën tjetër, Menaxheri i Programeve në DEMOS, Norbert Pijls, ka theksuar se ndihet i nderuar që në një ekip me Institutin KLGI të mbështesin Ministrinë e Financave në draftimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, si ligji më i rëndësishëm në nivelin lokal. Ai ka shtuar se vendi ka eksperiencë të mjaftueshme, nisur nga institucionet, puna me ekspertët dhe po ashtu mundësia për të sjellë ekspertizë ndërkombëtare që përmes këtij ligji t’i përshtatemi nevojave të komunave dhe qytetarëve në Kosovë. Andaj së bashku mund të arrihen rezultate të mira. 

Kjo mbështetje e Institutit KLGI për Ministrinë e Financave ofrohet në kuadrin e projektit “Një përpjekje drejt një qeverisje lokale të qëndrueshme dhe funksionale” i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Danimarkës (DANIDA) Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ku shtyllë të aktiviteteve ka “Financat Lokale dhe Zhvillimin Ekonomik".