Kornizohet drafti i parë i dokumentit për financimin e shërbimeve sociale

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) mbajtën takimin e radhës të Grupit Punues për përgatitjen e “Formulës së Financimit dhe Kritereve për Grantin e Veçantë për Shërbimet Sociale”. ​

Fillimisht Grupi Punues u informua rreth aktiviteteve të zhvilluara lidhur me fushën e shërbimeve sociale dhe Formulën e Financimit për Grantin e Veçantë për Shërbimet Sociale.​

Në takim, fillimisht u diskutua dhe u prezantua drafti i parë i dokumentit për formulën e financimit dhe Grantin e Veçantë për Shërbime Sociale, bazuar në Koncept Dokumentin për fushën e financave Lokale dhe Koncept Dokumentin për Shërbime Sociale dhe Familjare. Njëkohësisht të qartësohet se çka përfshin korniza e shërbimeve sociale, si dhe çka ofron niveli qendror dhe ai lokal. ​

Granti i Veçantë për Shërbimet Sociale shërben për financimin e kostos së ofrimit të shërbimeve sociale në nivel komunal bazuar në standardet minimale. Andaj, kriteret e financimit kanë për qëllim adresimin e problemeve në financimin aktual dhe politikat e reja në këtë fushë.​

Sa i përket ofrimit të shërbimeve sociale është e domosdoshme që të bëhet një urë lidhëse ndërmjet nivelit publik dhe atij privat, andaj me anë të këtij dokumenti do të qartësohet ofrimi i shërbimeve dhe financimi i tyre. ​

Dokumenti parasheh të bëjë ndarjen e shërbimeve sociale në bazë të niveleve dhe në bazë të regjioneve. Janë tri nivele të ofrimit të shërbimeve sociale sa i përket regjioneve: niveli nacional; regjional dhe lokal. Ndërkaq, përfshihen niveli i shërbimeve: primare, sekondare dhe terciare. ​

Buxhetet publike duhet të sigurojnë mbështetje të përshtatshme financiare për ofrimin e shërbimeve sociale, pasi kjo paraqet një investim efektiv dhe një element thelbësor në përmirësimin e jetës së qytetarëve.​

Organizimi i kësaj punëtorie është në vazhdën e angazhimeve të Institutit KLGI për mbështetjen e institucioneve me qëllim të rregullimit të qëndrueshëm të nivelit lokal në Kosovë.​

Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit ‘Mbështetje për Komuna më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.