Korniza buxhetore, sfidë për zhvillimin e komunave

Sot, në hapësirat e Institutit KLGI, u mbajt sesioni i parë i grupit tematik: “Zhvillimi Ekonomik Lokal, Financat Lokale dhe Investimet Kapitale” me ç’rast u adresuan një seri temash të rëndësishme për nivelin lokal, nisur nga ato që ndërlidhen me buxhetimin, planifikimin e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm lokal. Po ashtu u vendosen objektivat dhe agjenda e sesioneve të radhës, në mënyrë që të arrihet pa vonesa në hartimin e dokumentit të politikave për nivelin lokal.

Përveç diskutimit të hapur për sfidat kyçe të këtyre sektorëve ishte dakordim se temat që duhet të adresohen me interes nga grupi tematik janë: Nevoja për lëvizje nga korniza aktuale e buxhetimit në një qasje të planifikimit të integruar; ri-shikimi i legjislacionit në fushat e zhvillimit ekonomik duke u dhënë mundësi komunave për fuqizim direkt të këtij sektori; analizimi i qasjes në hartimin e dokumenteve strategjike zhvillimore; nevoja për zhvillim të balancuar regjional; fuqizimi i komunave nëpërmjet kredive zhvillimore dhe marrja e praktikave të avancuara rajonale.

Parasëgjithash, fokus duhet të ketë fuqizimi i komunave në absorbim dhe menaxhim të fondeve dhe donacioneve zhvillimore. Përderisa angazhimi do të shtrihet edhe në identifikimin e sfidave, shpërndarjen e praktikave të mira nëpër komuna dhe në gjetjen e zgjidhjeve për problemet kyçe.

Programi LGA – Empower në fazën e parë nëpërmjet grupeve tematike synon të angazhohet në diskutime të fokusuara, avokim dhe adresim të politikave dhe programe të qëndrueshme sektoriale, në avancimin e politikave funksionale, ofrimin e rekomandimeve dhe opsioneve për akterët që angazhohen në nivelin lokal. Ndërkaq, faza tjetër ka të bëjë me fasilitimin e ekspertëve për grupet tematike, në hartimin e politikave dhe programe të qëndrueshme për nivelin lokal.

Programi mbështetet nga Ambasada Norvegjeze në Kosovë.