Konsultimi publik i akteve i bënë qytetarët hisedarë në vendimmarrje lokale

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) në bashkëpunim me fondacionin gjerman Friedrich Ebert Stiftung (FES) mbajtën punëtorinë treditore me temën “Procesi i konsultimit publik të akteve komunale”. Punëtoria kishte për qëllim njohjen me rregullativën për konsultim publike të akteve komunale. Pjesëmarrës në punëtori ishin zyrtarë për informim të komunave dhe shoqëria civile.​

Si problematike u shfaq nga zyrtarët komunalë ishte interesimi i ulët i pjesëmarrjes qytetare në dëgjime publike dhe u kërkua që të gjendet një formë më e përshtatshme për pjesëmarrjen e qytetarëve në takime të tilla. Në të njëjtën kohë zyrtarët komunalë mirëpritën bashkëpunimin që po e ofron shoqëria civile në mobilizim të komunitetit, duke e lehtësuar procesin e identifikimit të nevojave të tyre.​

Gjatë kësaj punëtorie, po ashtu u diskutua për Udhëzimin Administrativ për konsultimin publik në nivel lokal. Përfshirja sa më e madhe e qytetarëve në konsultim publik nënkupton që qytetarët të jenë hisedarë në përpilimin e politikave publike në nivel lokal. Megjithatë, duhet gjetur forma për të mobilizuar komunitetin dhe krijimin e besimit në këtë aspekt nga qytetarët, por duke e theksuar që ky nivel besimi duhet të jetë synim kryesor i raportit komunë - qytetar.​

Që konsultimi publik në nivel lokal të jetë sa më efektiv komuna, jo vetëm që duhet të publikojë kohën dhe vendin e mbajtjes së takimit, por duhet të shpjegojnë qëllimin e takimit që në fillim dhe të sigurojnë që çdo rekomandim i qytetarëve të merret parasysh. Komuna gjithashtu duhet të ketë parasysh që orari i konsultimeve të jetë sa më i përshtatshëm ashtu që t’iu mundësohet kushdo që është i interesuar të ketë qasje.​

Ishte konkluzion i përbashkët që një vëmendje më e madhe duhet të vihet në krijimin e mekanizmave të tilla që do të siguronin zbatimin e udhëzimit administrativ, në mënyrë që ky dokument të vihet në funksion dhe të arrihet një avancim i konsultimeve publike.​

Në të njëjtën kohë u mirëprit dhe u vlerësua bashkëpunimi që po e ofron Instituti KLGI në mobilizim të komunitetit, duke e lehtësuar procesin e identifikimit të nevojave të tyre.​

Ky aktivitet u realizua në mbështetje të fondacionit gjerman Friedrich Ebert Stiftung.