KLGI organizoi trajnimin për zbatim efikas të Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme Komunale

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) organizoi sesionin trajnues lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme të Komunës, në të cilën u trajtuan ndryshimet ligjore në formën dhe procedurat për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës.​

Pjesëmarrës në këtë sesion trajnues ishin përfaqësuesit nga Drejtoritë për Pronë dhe Urbanizëm nga Komunat e Kosovës dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Gjatë diskutimit u krahasuan mangësitë e Ligjit paraprak, dhe disa paqartësi të Ligjit aktual deri në definimin nëpërmjet akteve nënligjore për procedurat e Dhënies në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës Komunale.​

Ligji i plotësuar ka për qëllim të siguroj shfrytëzimin efektiv të pronës së paluajtshme të komunës për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, rritjen e vlerës së pronës së paluajtshme të komunës dhe përmbushjes së interesit të përgjithshëm. Gjithashtu me këtë ligj rregullohen dhe përcaktohen procedurat dhe format për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, si dhe procedurat e bartjes së pronave të paluajtshme të cilat administrohen nga institucionet qendrore në pronësi të komunës.​

Pjesëmarrësit shprehën interes dhe u kërkua që të zhvillohen takime edhe në të ardhmen që ky ligj t’iu shërbej dhe ndihmoj Komunave që të realizojnë strategjitë e tyre për zhvillim ekonomik lokal. Njëkohësisht, ishte dakordim që nëpërmjet diskutimeve, ndarjes së përvojave dhe qartësive përmes akteve nënligjore të arrihet që ky instrument të kthehet në mundësi për zhvillim ekonomik lokal.​

Instituti KLGI nëpërmes programeve edukative punon në ngritjen e kapaciteteve të komunave të vendit.​

Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit ‘Mbështetje për Komuna më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.