KLGI mbajti punëtorinë në kompletimin e Draft-Strategjisë për Zhvillim Rajonal 2020-2030

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) në mbështetje të Ministrisë për Zhvillim Rajonal (MZHR) mbajti punëtorinë për inkorporimin e pjesës së dytë të komenteve të Zyrës për Planifikim Strategjik në kompletimin e Draft-Strategjisë për Zhvillim Rajonal 2020-2030.

Takimi kishte për synim diskutimin dhe kompletimin e objektivave strategjike që duhet të vendosen në këtë dokument strategjik me fokus te plani i veprimit, indikatorët dhe impakti financiar i strategjisë. Pjesëmarrës ishin përfaqësues nga Ministria për Zhvillim Rajonal dhe nga Zyra për Planifikim Strategjik në Zyrën e Kryeministrit.

Strategjia për Zhvillim Rajonal përcakton kuadrin strategjik për arritjen e një zhvillimi të ekuilibruar dhe të qëndrueshëm të rajoneve të vendit.

Kjo strategji ka për qëllim përcaktimin dhe prioritetet afatgjata të zhvillimit rajonal dhe mundëson koordinimin e politikave tjera sektoriale për zhvillim socio-ekonomik rajonal të balancuar në Kosovë. Para së gjithash, përmban objektiva të përcaktuara qartë, parasheh realizimin e veprimeve dhe funksionimin e mekanizmave, që mundësojnë arritjen e këtyre prioriteteve strategjike të fushës së zhvillimit rajonal dhe koordinimin ndër-institucional.

Zhvillimi rajonal i balancuar ka për qëllim uljen e dallimeve në aspekt të zhvillimit socio-ekonomik dhe ngritjes së cilësisë së jetës në rajone zhvillimore. Zhvillimi rajonal i balancuar nuk mund të arrihet pa ngritjen e kapaciteteve të rajoneve në mënyrë që të ketë një konkurrencë të mirëfilltë ndër rajonale.

Ky diskutim ishte në kuadrin e platformës së konsultimeve që po ofron Instituti KLGI për Institucionet për gjatë hartimit të politikave dhe legjislacionit në fushën e qeverisjes lokale.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit ‘Mbështetje për Komuna më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.