Këmbimi dhe bartja e pronës së Komunave, mundësi për zhvillim ekonomik lokal ​

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) organizoi sesionin trajnues me temën “Dhënia në Shfrytëzim të Pronës së Paluajtshme të Komunës”, me fokus në këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës dhe bartjen e pronës së paluajtshme të institucioneve qendrore në Komuna. ​

Pjesëmarrës në këtë sesion trajnues ishin përfaqësuesit nga Drejtoritë për Pronë dhe Urbanizëm nga Komunat e Kosovës dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Gjatë diskutimit u krahasuan mangësitë e Ligjit paraprak, dhe disa paqartësi të Ligjit aktual deri në definimin nëpërmjet akteve nënligjore për procedurat e Dhënies në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës Komunale.​

Ligji për Dhënie në Shfrytëzim të Pronës së Paluajtshme të Komunës siguron shfrytëzimin efektiv të pronës së paluajtshme të komunës për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, rritje të vlerës së pronës në shërbim të interesit të përgjithshëm. Pra, krijon mundësinë për këmbimin e pronës dhe përfitimin e të drejtës së pronësisë mbi pronat të cilat administrohen nga institucionet e shtetit, si dhe bartjen e pronësisë së pronave të cilat administrohen nga AKP në pronësi të komunave.​

Sa i përket këmbimit të pronës së komunës kjo bëhet vetëm për sigurimin e pronës për qëllime të përmbushjes së interesit publik, duke iniciuar procedurat dhe përmbushur kushtet e përcaktuara për këmbimin e pronës së komunës. Para se gjithash, Komuna duhet të sigurojë vlerësimin e pronës së paluajtshme të komunës e cila është planifikuar për këmbim, në bazë të legjislacionit përkatës në fuqi.​

Gjithashtu, Komunat kanë të drejtë që për interes publik të kërkojnë bartjen në pronësi të pronës së paluajtshme të cilat janë në territorin e komunës, por që administrohen nga institucionet qendrore. Krahas kësaj, Komuna duhet të bëjë identifikimin dhe përshkrimin e pronës së paluajtshme të cilën kërkon t’i bartet në pronësi për realizimin e interesit publik.​

Me ndryshimet e ligjit aktual për Dhënie në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme të Komunës u theksua se në të ardhmen ky ligj do t’iu shërbej dhe ndihmoj Komunave që të realizojnë strategjitë e tyre për zhvillim ekonomik lokal.​

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Mbështetje për Komuna më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)” i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.