Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), organizoi punëtorinë me temën “Qeverisja Lokale në Raportin e Progresit”. Pjesëmarrës ishin zyrtarët për Integrime Evropiane në Komuna dhe përfaqësues nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Në hapje të punëtorisë, Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, Valmir Gashi, theksoi se analiza shërben për institucionet, akterët publikë, shoqërinë civile dhe mediat si pikë referuese për sfidat e qeverisjes lokale.

Ndërkaq për Institutin KLGI shërben si instrument në përshtatjen e strategjive dhe fushave të intervenimit në funksion të agjendës së përbashkët drejt reformave evropiane.

Ndërkaq, Drejtori i Programeve të Institutit KLGI, Besnik Muçaj, prezantoi analizën “Qeverisja Lokale në Raportin e Progresit. Instituti KLGI ka analizuar Raporti i Komisionit Evropian për Vendin, dhe ka nxjerrë analizën me fokus çështjet që lidhen me pushtetin lokal.

Kurse, Drejtori i Departamentit për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave në MAPL, Shkëlqim Jakupi, prezantoi për Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën 2021 – sfidat e qeverisjes lokale.

Gjithashtu, përgjatë punëtorisë u analizuan dhe diskutuan potencialet e komunave në përmbushje të obligimeve që dalin nga Raporti i Komisionit Evropian për Vendin. Në periudhën raportuese 2020- 2021, qeverisja lokale është analizuar dhe vlerësuar në fusha specifike të kompetencave komunale dhe çështjeve sektoriale ndër-institucionale.

KLGI u është përkushtuar analizave dhe studimeve që i kontribuojnë praktikave efektive të qeverisjes lokale në Kosovë. Po ashtu, nëpërmjet programeve edukative punon në ngritjen e kapaciteteve të komunave të vendit.

Linku i analizës: https://klgi-ks.com/repository/docs/analize_raporti_i_progresit_2021r.pdf

Aktiviteti u realizua në kuadrin e programit ‘Dialogu për Komunat Evropiane’ (DEM), i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.