Instituti KLGI pjesmarrës në konferencën nacionale në Republiken e Shqipërisë

Me ftesë të Ministres për Financa dhe Ekonomi në Republikën e Shqipërisë, znj. Anila Denaj, Drejtori i Departamentit të Buxhetit të Kosovës, z. Salvador Elmazi dhe Drejtori i Institutit KLGI, z. Besnik Muçaj, morën pjesë në konferencën nacionale të Shqipërisë me titull “Përforcimi i dialogut për financat e pushtetit lokal: Sfidat, mundësitë, transparenca dhe llogaridhënia”.

Në konferencë prezantuan Ministrja për Financa dhe Ekonomi, znj. Anila Denaj, përfaqësuesja e lartë e USAID, Mikaela Meredith, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, dhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi.

Në këtë ngjarje u prezantua Raporti Vjetor për Financat Publike Vendore, ku u pasqyrua performanca e të hyrave vetanake dhe shpenzimeve të bashkive të Shqipërisë për vitin 2018, po ashtu në këtë raport u prezantuan edhe prioritetet e bashkive për vitet në vijim.

Në diskutimin joformal me nikoqirët e konferencës, z. Elmazi dhe z. Muçaj shkëmbyen informacione dhe prezantuan shembullin e Kosovës. Njëkohësisht informuan lidhur me ndryshimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal në Kosovë.

Ky aktivitet i Institutit KLGI po zhvillohet në kuadrin e angazhimeve të përbashkëta regjionale për shkëmbimin e informacionit dhe forcimin e komunikimit në fushën e qeverisjes locale.