Instituti KLGI pjesë e konferencës kombëtare për vlerësimin e decentralizimit në Shqipëri

Në konferencën kombëtare për procesin e decentralizmit në Shqipëri u vlerësuan reformat dhe u nxorën rekomandimet për angazhim të përbashkët të akterëve.

Me ftesë të zv. Kryeministres së Republikës së Shqipërisë, znj. Sonila Mesi, përfaqësuesit e Institutit KLGI morën pjesë në konferencën kombëtare me titull “Shqipëria, decentralizim në progres”. Kjo konferencë u organizua nga Kryeministria në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Financave dhe me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Shqipëri.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues nga niveli qendror, bashkitë, donatorë dhe ekspertë të fushës së qeverisjes lokale. Në hapje të konferencës, zv/kryeministrja Mesi prezantoi të arriturat dhe angazhimet e përbashkëta me partnerë në fushën e reformave të ndërmarra në funksion të forcimit të qeverisjes lokale. Po ashtu, ambasadori zviceran foli për angazhimet e përbashkëta në përkrahje të kësaj fushe.

Në emër të ministrisë vartëse foli zv/ministrja e Brendshme, znj. Romina Kuko, e cila shprehi vullnetin e plotë për të vazhduar ndjekjen e reformave dhe për më tepër foli për një fazë të re të modernizimit dhe demokratizimit të mëtejmë. Znj. Kuko përmendi edhe përvojat e nxjerra nga rajoni në konferencën e 10-vjetorit të decentralizimit të organizuar nga Instituti KLGI.

Më pastaj, konferenca vazhdoi punën në dy panele të ndara: i pari me temën “Strategjia e decentralizimit - cilët janë hapat në vijim?” dhe paneli i dytë, “Financat lokale: avancimi dhe perspektiva e të ardhmes”.

Në këtë ngjarje u prezantua edhe raporti nga vlerësimi i decentralizimit në Shqipëri, me theks në tri vite pas reformës administrativo-territoriale. Për më shumë, kjo konferencë ishte një mundësi e mirë për të diskutuar mbi sfidat e përbashkëta në fushën e qeverisjes lokale, e po ashtu për të forcuar bashkëpunimin me synim të shkëmbimit të përvojave të mira.