Instituti KLGI dhe Ministrinë e Zhvillimit Rajonal organizuan punëtorinë për diskutimin e objektivave të strategjisë për zhvillim rajonal

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal (MZHR) organizoi punëtorinë e radhës me grupin punues për hartimin e Strategjisë për Zhvillim Rajonal 2020-2030. Ky diskutim është në kuadrin e mbështetjes që po ofron Instituti KLGI për institucionet gjatë hartimit të politikave/legjislacionit në fushën e qeverisjes lokale.

Përgjatë takimit janë diskutuar objektivat strategjike që duhet të vendosen në këtë dokument strategjik. Kjo strategji përcakton qëllimet dhe prioritetet afatgjata për zhvillim rajonal, njëkohësisht mundëson koordinim të politikave, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e balancuar të rajoneve. Para se gjithash, shërben si udhëzues i zhvillimit ekonomik lokal duke ndërmarrë iniciativa dhe implementuar projekte të përbashkëta zhvillimore.

Megjithatë, analiza socio-ekonomike rajonale dhe identifikimi i prioriteteve do të ndihmojë një zhvillim të qëndrueshëm rajonal. Në këtë kuadër, zhvillimi rajonal ka të bëjë me integrimin e politikave dhe programeve të ndryshme, duke ofruar sinergji të reja, përmirësuar koordinimin dhe duke përfshirë komunitetet lokale në formulimin dhe zbatimin e politikave konkrete.

Kjo strategji do të kompletohet pas një studimi të gjatë dhe përpjekjeve të përbashkëta të të gjithë akterëve, duke plotësuar objektivat e saj në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik rajonal.

Instituti KLGI, nëpërmes programeve te tij do të vazhdojë mbështetjen e institucioneve ne hartimin e politikave dhe legjislacionit te cilat prekin fushën e qeverisjes lokale ne Republikën Kosovës.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit ‘Mbështetje për Komuna më të Forta dhe më të Qëndrueshme’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë.