Instituti KLGI dhe Ministria e Financave mbajtën sesionin dyditor për draftimin e Projektligjit për Financat e Pushtetit Lokal

Instituti KLGI në vazhdën e mbështetjes për Ministrinë e Financave organizoi punëtorinë dyditore në datat (28 – 29 maj) të Grupit Punues për draftimin e Projektligjit të Financave të Pushtetit Lokal (LFPL).

Grupi punues i udhëhequr nga Ministria e Financave dhe përfaqësuar nga Ministritë e linjës (MAPL; MASHT; MPMS; MSH); përfaqësuesit e Asociacionit të Komunave të Kosovës; Instituti KLGI dhe projekti DEMOS, mbajtën punëtori dy ditore për draftimin e Projektligjit të Financave të Pushtetit Lokal, duke analizuar opsionet dhe trajtuar konturat e përgjithshme të projektligjit.

Gjatë diskutimeve të vazhdueshme për draftimin e projektligjit, Grupi Punues ka shfaqur nevojën për përcaktimin e burimeve financiare, duke përfshirë të hyrat vetanake komunale, grantet dhe burimet e tjera financiare të nevojshme për ushtrimin e kompetencave komunale.

Me anë të këtij projektligji mëtohet të sigurohet një sistem i zhvilluar i financave lokale në mënyrë që komunat të mund të ushtrojnë kompetencat dhe realizojnë aktivitetet e tyre në mënyrë efikase dhe efektive. Para se gjithash, ky ligj është bazamenti i financimit të qëndrueshëm të shërbimeve komunale.

Pra, Projektligji për Financat e Pushtetit Lokal, ofron një qasje të re të financimit të kompetencave komunale; ofron qartësi për financimin e zjarrfikësve, inspektorëve të tregut, inspektorëve sanitarë dhe fito-sanitarë.

Përtej kësaj, forcon autonominë dhe disiplinën e komunave në menaxhimin e financave, duke ndihmuar edhe në përmirësimin e planifikimit. Njëkohësisht forcon transparencën në ndarjen e granteve komunale.

Projektligji ofron zgjidhje për tejkalimin e sfidave të komunave me qëndrueshmëri të vogël financiare, njëkohësisht i përgjigjet kontestit që është krijuar me avancimet e ligjeve sektoriale.

Përgjithësisht fusha e financave të pushtetit lokal paraqet elementin më substancial që bashkërisht me vendimet dhe veprimet tjera të ndërmarra nga Qeveria t’i hap perspektivë të re zhvillimit ekonomik lokal.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit ‘Mbështetje të Komunave më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.