Grupi Punues prezanton draftin final të Strategjisë për Zhvillim Rajonal 2020-2030

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal (MZHR) organizoi punëtorinë e radhës për kompletimin e Draftit të Strategjisë për Zhvillim Rajonal 2020-2030. Ky diskutim ishte në kuadrin e platformës së konsultimeve që po ofron Instituti KLGI për Institucionet për gjatë hartimit të politikave/legjislacionit në fushën e qeverisjes lokale.​

Takimi kishte për synim diskutimin dhe kompletimin e objektivave strategjike që duhet të vendosen në këtë dokument strategjik me fokus te plani i veprimit, pasaporta e treguesve dhe kostoja e strategjisë. ​

Strategjia e Zhvillimit Rajonal 2020-2030, përcakton qëllimet dhe prioritetet afatgjata për zhvillim rajonal, si dhe i jep hapësirë koordinimit të politikave, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e balancuar të rajoneve. ​

Ky dokument do të shërbej si udhëzues i zhvillimit ekonomik lokal dhe rajonal, dhe njëkohësisht mundëson ndërmarrjen e iniciativave për implementimin e projekteve të përbashkëta zhvillimore. Njëherësh luan rol të rëndësishëm për arritjen e qëllimeve dhe prioriteteve për zhvillim rajonal nëpërmjet politikave dhe strategjive sektoriale, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e balancuar të rajoneve.​

Për më tepër, zhvillimi rajonal ka si qëllim të mundësojë një kornizë të qartë se si të arrihet përmirësim i qëndrueshëm e domethënës për komunitetet lokale, duke nxitur aktivitete ekonomike dhe promovuar një mjedis ekonomik rajonal më atraktiv.​

Instituti KLGI do të angazhohet për konsultimin e dokumentit me akterët tjerë për të marrë komente shtesë, para se drafti të dërgohet në platformën për konsultime publike.​

Instituti KLGI, nëpërmes programeve të tij do të vazhdojë mbështetjen e institucioneve në hartimin e politikave dhe legjislacionit të cilat prekin fushën e qeverisjes lokale në Republikën Kosovës.​

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit ‘Mbështetje për Komuna më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.