Financimi adekuat i shërbimeve sociale, garanci e mirëqenies sociale

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) organizoi punëtorinë virtuale me temën “Politikat Sociale në Nivel Lokal”. Pjesëmarrës në këtë sesion trajnues ishin përfaqësues të Drejtorive për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (DSHMS) nga niveli lokal dhe Qendrave për Punë Sociale (QPS).

Qëllimi i takimit ishte diskutimi lidhur me financimin e shërbimeve sociale në nivel lokal me theks Grantin e Veçantë për Shërbimet Sociale dhe Ligjin për Shërbimet Sociale dhe familjare.

Politikat sociale janë një grup politikash publike që synojnë sigurimin e mbrojtjes dhe mirëqenies sociale si një kërkesë morale dhe politike. Para së gjithash, komunat kanë kompetenca të plota dhe ekskluzive, sa i përket interesit lokal, duke i respektuar standardet e përcaktuara në legjislacionin e zbatueshëm, në ofrimin e shërbimeve familjare dhe shërbimeve të tjera të mirëqenies sociale.

Granti i Veçantë për Shërbimet Sociale shërben për financimin e kostos së ofrimit të shërbimeve sociale në nivel komunal bazuar në standardet minimale. Andaj, kriteret e financimit kanë për qëllim adresimin e problemeve në financimin aktual dhe politikat e reja në këtë fushë.

Megjithatë, është evidente që institucionet shtetërore duhet të sigurojnë mbështetje të përshtatshme financiare për ofrimin e shërbimeve sociale, pasi që kjo paraqet një investim efektiv dhe një element thelbësor në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Në kë aspekt, planet komunale për shërbime sociale, janë instrument i rëndësishëm dhe mund t’i paraprijnë rritjes së koordinimit dhe efikasitetit në zbatimin e politikave të reja, siç është Granti i Veçantë për Shërbime Sociale, nëpërmjet Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, Ligjit për Shërbimet Sociale dhe Familjare, si dhe ligjet tjera që synojnë rregullimin e politikave sociale në Republikën e Kosovës.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të platformës “Kosova që Duam” me mbështetje të Friedrich Ebert Stiftung.