Duke forcuar platformën e shoqërisë civile në nivel lokal, rritet kërkesa për llogaridhënie dhe përgjegjshmëria e vendimmarrësve

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) mbajti takimin e parë regjional ku ka bërë bashkë organizatat e shoqërisë civile të nivelit lokal, në regjionin e Mitrovicës, për të diskutuar për nevojat e komunikimi strategjik në mes shoqërisë civile dhe institucioneve lokale.

Takimi kishte për qëllim identifikimin e sfidave dhe problemeve në të cilat hasin organizatat e shoqërisë civile në nivel lokal në funksionimin e tyre, e po ashtu për të identifikuar mundësitë dhe shkëmbyer përvojat e mira në avancimin e tyre.

Në këtë kontekst, është tejet i rëndësishëm forcimi i bashkëpunimit në mes shoqërisë civile dhe institucioneve lokale, në rend të parë duke vendosur synime strategjike dhe agjendën e përbashkët të veprimit. Përtej kësaj, kjo i shërben forcimit të demokracisë në nivel lokal, ku shoqëria civile në njërën anë është artikulues i problemeve, e në anën tjetër ofron mbështetje profesionale dhe mbikëqyrje për zbatimin e politikave.

Rritja e kërkesave për llogaridhënie, transparencë dhe monitorimi efektiv shtynë komunat të jenë më të përgjegjshme karshi qytetarëve, e po ashtu rritet interaksioni në mes vendimmarrësve dhe qytetarëve përtej diskutimeve formale, duke vendosur fokus në problematikat e veçanta.

Përtej kësaj, një zë i strukturuar dhe kredibil i shoqërisë civile në nivel lokal rrit harkun kohor të vlerësimit të institucioneve përtej zgjedhjeve si mekanizëm demokratik. Shto këtu edhe nxitjen e çështjeve që përfaqësuesit në Kuvendin Komunal mund t’i adresojnë për përmirësim të politikave.

Në këtë rrafsh, përveç strukturave të OJQ-ve që kërkojnë llogaridhënie efektive organizata e specializuara janë mekanizma që forcojnë dhe shtrijnë shërbimin e komunës tek qytetarët. Këtu rol të veçantë kanë organizatat që merren me shërbime sociale për grupet e margjinalizuara.

Këto diskutime synojnë të prodhojnë një listë të çështjeve që duhet adresuar për përmirësim të komunikimit, koordinimit dhe monitorimit efektiv, duke u përcjellë me trajnime specifike në fushën e qeverisjes lokale, duke derivuar një platformë apo rrjet që aktivisht trajton në fokus politikat lokale dhe qeverisjen e mirë.

Ky takim i përbashkët ishte mundësi e mirë edhe për të krijuar rrjetëzim dhe bashkëpunime të mundshme përgjatë veprimtarive të organizatave të shoqërisë civile që operojnë në nivel lokal.

Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit në ‘Mbështetje të Komunave të Forta dhe të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.