Drejtori Ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, Valmir Gashi, priti në takim zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal, Agon Dobruna, me të cilin diskutoi për përkrahjen në hartimin e Ligjit për Zhvillim Rajonal.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e këtij ligji për eliminimin e sfidave, problemeve dhe ngecjeve në fushën e zhvillimit rajonal, për t’u adresuar në dokument me qëllim të përafrimit të politikave të zhvillimit rajonal të BE-së.


Instituti KLGI do të mbështesë Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, nëpërmjet programit “Dialogu për Komunat Evropiane – DEM”, i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë, duke kontribuar me ekspertizë profesionale dhe mbështetje teknike për procesin e hartimit të Ligjit për Zhvillim Rajonal.


Instituti KLGI shërben si platformë e një komunikimi më të strukturuar në ngritjen e kapaciteteve dhe hartimin e politikave dhe legjislacionit. Po ashtu, KLGI është i përkushtuar në analizat dhe studimet që i kontribuojnë praktikave efektive të qeverisjes lokale në Kosovë.