Ambasadori Norvegjez mëson problemet e Junikut

Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, në kuadër të vizitave nëpër komuna me z. Besnik Tahiri, drejtor ekzekutiv i KLGI, ka qëndruar në Junik për të parë sfidat me të cilat po ballafaqohet kjo komunë e cila është themeluar me procesin e decentralizimit.

Sipas Ambasadorit Sjaastad,është jetike që Juniku të thellojë bashkëpunimin me komunat përreth. “Jam këtu për të marrë informata që do t’i përcjell në Oslo lidhur me projektet që mund të jenë mbështetje për komunën” – është shprehur Ambasadori Norvegjez.

Këto komente ai i ka bërë në takim me kryetarin e Komunës së Junikut, Agron Kuçi, duke ritheksuar nevojën e avancimit të turizmit në Rajonin e Dukagjinit.

Ndërkaq, vetë kryetari Kuçi tha se Juniku paraqet mundësi të mëdha për këtë sektorë. “Juniku ka mbi 65 për qind të territorit male dhe bjeshkë, dhe pikën më të lartë, Majën e Gjeravicës,” është shprehur Kuçi.

Në këtë takim, Ambasadori Norvegjez ishte i shoqëruar nga Drejtori Ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri. Gjatë vizitës, ata u njoftuan edhe për rregullimet e qytetit, duke e ditur se mbi 90 për qind e Junikut ka qenë e shkatërruar gjatë periudhës së luftës.

Ata vizituan edhe qendrën rajonale të turizmit për të parë kushtet dhe mundësitë që ofron kjo qendër.