Akterët institucionalë dhe ata civilë duhet t’i bashkërendojnë aktivitetet në shërbim të interesit publik

Instituti KLGI mbajti takimin regjional, i cili bëri bashkë organizatat e shoqërisë civile në nivel lokal, për të diskutuar lidhur me format, përforcimin e mekanizmave të shoqërisë civile dhe për rritjen kërkesave për llogaridhënie efektive nga institucionet lokale. Ky aktivitet u realizua në koordinim me Rrjetin e Organizatave Jo-qeveritare në Ferizaj ‘Avonet’ dhe institucionet lokale.

Përtej kësaj takimi kishte për qëllim forcimin e komunikimit të strukturuar në mes akterëve lokalë në forcimin e agjendave të përbashkëta të bashkëpunimit të vazhdueshëm. Në këtë kontekst, është tejet i rëndësishëm forcimi i bashkëpunimit në mes shoqërisë civile dhe institucioneve lokale, në rend të parë duke vendosur synime strategjike dhe agjendën e përbashkët të veprimit. Përtej kësaj, kjo i shërben forcimit të demokracisë në nivel lokal, ku shoqëria civile në njërën anë është artikulues i problemeve, e në anën tjetër ofron mbështetje profesionale dhe mbikëqyrje për zbatimin e politikave.

Diskutimi trajtoi dhe rekomandoi çështje për dy nivele: e para si të përmirësohen politikat dhe komunikimi efektiv i komunave me akterët; dhe e dyta si të shtohen kapacitetet në shoqërinë civile lokale që të jenë aktivë dhe të gatshëm t’iu shërbejnë institucioneve publike lokale.

Rritja e kërkesave për llogaridhënie, transparencë dhe monitorimi efektiv shtynë komunat të jenë më të përgjegjshme karshi qytetarëve, e po ashtu rritet interaksioni në mes vendimmarrësve dhe qytetarëve përtej diskutimeve formale, duke vendosur fokus në problematikat e veçanta. Një problematik që ka nisur trajtimin ka të bëjë me financimin e klubeve dhe organizatave bazuar në Ligjin për Sponsorizimet, i cili kërkon ende qartësim si në aspektin procedural edhe atë të raportimit.

Këto diskutime synojnë të prodhojnë një listë të çështjeve që duhet adresuar për përmirësim të komunikimit, koordinimit dhe monitorimit efektiv, duke u përcjellë me trajnime specifike në fushën e qeverisjes lokale, parasegjithash kjo derivon një platformë apo rrjet që aktivisht trajton në fokus politikat lokale dhe qeverisjen e mirë.

Një dimension i veçantë i trajtimit ishte edhe tek organizatat profesionale që ofrojnë shërbime sociale duke përfshirë edhe një takim të veçantë në ‘Handikos’. Ku në takim u diskutua edhe për grantin specifik për shërbime sociale, përparësitë dhe sfidat që mund të dalin gjatë zbatimit. Me ketë rast u theksua nevoja për bashkëpunim të strukturuar për të forcuar politikat sociale në nivel lokal.

Ky takim i përbashkët  ishte mundësi e mirë edhe për të krijuar rrjetëzim dhe bashkëpunime të mundshme përgjatë veprimtarive të organizatave të shoqërisë civile që operojnë në nivel lokal.

Takimi regjional organizohet në kuadër të programit në ‘Mbështetje të Komunave të Forta dhe të Qëndrueshme (SSSM)’, e që për qëllim ka adresimin e sfidave dhe problemeve në të cilat hasin organizatat e shoqërisë civile në nivel lokal në funksionimin e tyre, e po ashtu për të identifikuar mundësitë dhe shkëmbyer përvojat e mira në avancimin e tyre.