Instituti KLGI në bashkëpunim me Fondacionin “Lumbardhi” mbajti takimin e radhës regjional në Prizren, i cili bëri bashkë organizatat e shoqërisë civile në nivel lokal, për të diskutuar lidhur me format e fuqizimit të mekanizmave të shoqërisë civile dhe për rritjen kërkesave për llogaridhënie efektive nga institucionet lokale.
Takimi regjional kishte për qëllim adresimin e sfidave dhe problemeve në të cilat hasin organizatat e shoqërisë civile në nivel lokal në funksionimin e tyre, e po ashtu për të identifikuar mundësitë dhe shkëmbyer përvojat e mira në avancimin e tyre. Për më tepër ky takim kontribuon në rritjen e komunikimit të strukturuar në mes akterëve lokalë që konsiston me hartimin e agjendave të përbashkëta të bashkëpunimit dhe ndërveprimit.
Megjithatë, duhet theksuar se Prizreni është një shembull shumë i mirë i funksionimit të shoqërisë civile dhe organizimit të tyre në nivel lokal. Andaj ky koncept i organizimit i cili është shumë i rëndësishëm në sferën e kulturës meriton të ketë promovim edhe nëpër komunat tjera. Ky organizim, përveç promovimit kulturorë, është instrument i zhvillimit të turizimit dhe ekonomik.
Organizatat e shoqërisë civile duhet të marrin përgjegjësitë të cilat u takojnë dhe të angazhohen që ta fuqizojnë sektorin e tyre me qëllim që të jenë partner i barabartë me institucionet lokale përgjatë të gjitha organizimeve dhe bashkëveprimeve. Njëkohësisht të angazhohen në ngritje të kapaciteteve të tyre në mënyrë që të jenë përfaqësues sa më të denjë të interesave të qytetarëve.
Ekziston nevoja e një platforme që do të përfshinte shoqërinë civile në nivelin lokal, duke pasur mekanizma të qartë të vet‐rregullimit, për të nxitur përcaktimin e kornizës formale të bashkëpunimit me institucionet lokale nëpërmjet hartimit dhe propozimit të një strategjie për bashkëpunim. Ato duhet të përpiqen të koordinojnë aktivitetet e tyre dhe që të jenë pjesëmarrës aktiv në dizajnimin dhe krijimin e politikave publike si dhe në monitorimin e qeverisjes lokale dhe mbajtjen përgjegjëse të saj përmes mekanizmave të llogaridhënies dhe transparencës.
Ky takim i përbashkët ishte mundësi e mirë edhe për të krijuar rrjetëzim dhe bashkëpunime të mundshme përgjatë veprimtarive të organizatave të shoqërisë civile që operojnë në nivel lokal.
Takimi regjional u organizua në kuadër të programit ‘Mbështetje të Komunave të Forta dhe të Qëndrueshme (SSSM)’, e që për qëllim ka adresimin e sfidave dhe problemeve në të cilat hasin organizatat e shoqërisë civile në nivel lokal në funksionimin e tyre, e po ashtu për të identifikuar mundësitë dhe shkëmbyer përvojat e mira në avancimin e tyre.