Pas arritjes së marrëveshjes për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe (A/BKS) në mes dhe brenda të dyja vendeve po vazhdon të zhvillohet një debat tejet kundërthënës nga akterët politik, institucional dhe të shoqërisë civile. Në këtë aspekt e shoh të rrugës që këtij debati t’i ofroj një kontribut nga perspektiva ime.
Fillimisht duhet të sqaroj se A/BKS do të kornizohet ngjashëm me Asociacionin e Komunave të Kosovës, përveçse të parit i njihet karakteri i veçantë, duke obliguar qeverinë e Kosovës të miratoj një dekret drejtpërdrejt të zbatueshëm i cili do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Pra siç thuhet në marrëveshje Asociacioni/Bashkësia do të jetë një entitet legal i përcaktuar me statutin e vet, ku të drejtat dhe obligimet pritet të përcaktohen me statut. Thënë qartë, në rast se këtu lihet ambiguitet kjo mund të jetë bërthama e problemeve. Po ashtu edhe vetë emrit Asociacion duke ia shtuar atë Bashkësia, synohet të bëhet dallimin tek qëllimi, më saktësisht tek strukturimi institucional i bashkësisë etnike serbe. Duke i pasur parasysh këto elemente, diskutimi se a është A/BKS OJQ apo jo është huqje e esencës së debatit.
Në raport me strukturimin formal duhet theksuar se A/BKS nuk prishë nivelin dy shkallësh qeverisës por në një formë apo tjetër është një strukturë e ndërmjetme “mbikomunale”. Pra edhe pse në marrëveshje në mënyrë eksplicite nuk ka provizion e as pikë për kompetenca ekzekutive, pika e katërt e marrëveshjes ku përshkruhen funksionet dhe shërbimet publike është ‘loja’ e fjalëve pasi që në këtë pikë janë ‘kontrabanduar’ kompetencat ekzekutive me shprehjen ‘ofrim i funksioneve dhe shërbimeve publike’, që deri diku është e njëjtë.
Po ashtu marrëveshja parasheh edhe një administratë e cila do të funksionojë bazuar në Ligjin e Punës dhe Ligjin e Shërbimit Civil, e ku nuk janë të përcaktuara kompetencat e tyre, pozicionimi institucional dhe vetë struktura. Në këtë aspekt në kuptimin e gjerë nëpunësit civilë janë pjesë ekzekutive e shtetit, subjekt i parimeve ligjore dhe rregullave të detyrueshme që rrjedhin nga vendosja e tyre specifike në strukturën hierarkike të shtetit. Në rast se administrata e A/BKS funksionon brenda shërbimit civil atëherë atyre në një formë u njihet e drejta e funksionit administrativ, e që në këtë rast i përket pushtetit ekzekutiv.
Me këtë marrëveshje A/BKS në veçanti i lihen në dorë mbikëqyrja e disa prej fushave tejet të rëndësishme siç janë: edukimi, shëndetësia primare dhe sekondare, çështjet sociale, planifikimi urban dhe rural. Përveç kësaj A/BKS, synohet të jetë ‘ombrella’ e komunave me shumicë serbe që do të shërbej si urë e komunikimit me institucionet qendrore të Kosovës dhe atyre të Serbisë në aspektin e politikave, të vendimmarrjes dhe të financimit. Pra ky mekanizëm nëpërmes fuqisë politike që i japin të zgjedhurit në këtë rast kryetarët dhe këshilltarët e komunave pjesëmarrëse mund të kthehet në institucionin kryesor politik dhe vendimmarrës për serbët.
Pavarësisht të gjitha këtyre, duhet theksuar se de jure, Asociacioni nuk e bosnjizon Kosovën, ngase Republika Serbe është prodhim i rregullimit kushtetues, kurse A/BKS është prodhim i ligjit kosovar dhe këto të dyja janë të dalluara. Kur u bë Bosnja e Daytonit ajo u themelua mbi modelin e dy entiteteve dhe Kushtetutës Boshnjake. Por rreziku këtu shfaqet nga dykuptimësitë dhe pasaktësia në lidhje me përkufizimin preciz të kompetencave dhe përgjegjësive në mes Asociacionit dhe Komunave. Pra me themelimin e Asociacionin puna më e madhe që mbetet për t’u bërë është qartësimi me përpikëri i aspekteve funksionale dhe administrative si dhe qartësimi i saktë i kompetencave në komunave dhe asociacionit.
Duke u nisur nga ambiguiteti i marrëveshjes (që nga ajo e para e vitit 2013) parametrat e mundësive të një çrregullimi të sistemit qeverisës gjithsesi se ekzistojnë. Hartimi i Statutit do të jetë proces shumë i komplikuar dhe me tensione të shtuara. Përfaqësuesit e Komunave me shumicë serbe që tani janë duke e festuar arritjen e marrëveshjes, me besimin se kjo iu krijon kushte për autonomi. Dhe ata do të nisen me këtë synim. Sado që të jemi të kujdesshëm gjatë hartimit të Statutit, fatkeqësisht delegacioni ynë nuk e ka vërejtur apo s’ka pasur fuqi ta neutralizojë provizionin më problematik të marrëveshjes, mundësinë që asociacioni ta amandamentojë dhe ta ndryshojë Statutin menjëherë pas aprovimit të parë të tij. Këtu duhet të jemi vigjilentë sepse siç e kam theksuar më herët, rreziku më i madh vjen nga hartimi i statutit meqë atëherë rregullohet funksionimi, fuqia dhe çimentimi i pushtetit të dytë në Kosovë.