Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) organizoi punëtorinë me temën “Roli i institucioneve në rritjen e bashkëpunimit ndër-komunitar në nivel lokal”.
Kjo punëtori kishte për qëllim njohjen me sfidat dhe përpjekjet për të promovuar dhe fuqizuar bashkëpunimin ndër-komunitar në funksion të qeverisje së mirë dhe zhvillimit ekonomik lokal.
Pjesëmarrës në punëtori ishin përfaqësues të të gjitha komunave të Republikës së Kosovës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Shoqëria Civile.
Qëllimi i punëtorisë ishte identifikimi i sfidave dhe koordinimi i agjendës së përbashkët në funksion të forcimit të kapaciteteve të akterëve lokalë për të marr veprime konkrete drejt zbatimit të politikave në të mirë të të gjithë qytetarëve. Para se gjithash, Komunat duhet të jenë mjaft të përkushtuara në respektimin e të drejtave të komuniteteve dhe avancimin e tyre në të gjitha fushat, duke rritur aktivitetet e përbashkëta.
Bashkëpunimi ndër-komunitar është një rrugë e rëndësishme për komunat në lidhje me ofrimin efikas dhe efektiv të shërbimeve dhe në funksion të zhvillimit ekonomik lokal. Njëkohësisht, komunat duhet të jenë në gjendje që të gjejnë rrugët për të tejkaluar sfidat, si dhe të shfrytëzojnë mekanizmat ligjorë për të forcuar bashkëpunimin.
Instituti KLGI ka nxjerrë një udhëzues praktik që qartëson fushat e bashkëpunimit dhe përparësitë e këtij procesi. Në vazhdimësi ka adresuar sfidat që ka pasur ky proces dhe mungesën e një qasje kohezive të identifikimit të fushave të bashkëpunimit dhe ndërmarrjes së hapave ligjor.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit ‘Mbështetje për Komuna më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.