Paneli i tretë me temën “Sfidat dhe Mundësitë” e komunave kishte si folës kryesor: Kryetarin e Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka, Kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, Kryetarin e Komunës së Parteshit, z. Dragan Petković dhe Kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.
Panelistët fokusin e vendosën mbi sfidat me të cilat po përballen komunat në fushën e financimit, arsimit, shëndetësisë, komunikimit joefektiv në mes të dy niveleve qeverisëse, si dhe mungesën e kapaciteteve për shkrim dhe menaxhim të projekteve për aplikim në fondet e BE-së dhe fondet tjera.
Për adresimin e këtyre temave dhe çështjeve tjera me interes, nga diskutimi i panelit u pa se komunat dallojnë nga njëra tjetra në kategori dhe aspekte të ndryshme, e për rrjedhojë qasja kundrejt zgjidhjes së problemeve duhet të bazohet mbi analiza të thella të konteksteve specifike për komuna veç e veç.
Përpos identifikimit të sfidave, Krerët e Komunave patën rastin që përmes dialogut të identifikojnë edhe praktikat e modelet e mira që kanë rezultuar si të suksesshme.
Të tri panelet e diskutimit ishin në shërbim të sensibilizimit të akterëve për rëndësinë e fuqizimit të qeverisjes, dialogut dhe demokracisë lokale; në shkëmbim të njohurive në lidhje me modelet dhe praktikat në rajon; si dhe në avancim të agjendës së reformave evropiane.