Instituti KLGI, në rolin mbështetës për procesin e draftimit të Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal në bashkëpunim me Ministrinë e Financave të Republikës së Kosovës dhe DEMOS, ka nisur procesin e konsultimit të gjerë me akterët relevantë si pjesë e fazës së parë të zhvillimit të koncept-dokumentit të këtij Ligji. Përvec takimeve konsultimeve me akterët, po zhvillohen edhe vizita studimore në rajon me qëllim të shkëmbimit të përvojave në fushën e financave lokale.
Në sesione të ndara, Instituti KLGI është duke mbajtur punëtori me akterët nga niveli qendror, lokal dhe shoqërinë civile, me ç’rast po diskuton lidhur me çështjet dhe sfidat që duhet rregulluar me Ligjin e ri për financat e pushtetit lokal.
Në grupin e parë, në tri sesione të ndara, së bashku me Ministrinë e Financave, Drejtorët e Buxheteve të Komunave dhe DEMOS, janë identifikuar dhe elaboruar çështjet që ndërlidhen me punët dhe aktivitetet e përditshme të këtij grupi në fushën e financave lokale. Grupi i parë ka vlerësuar dhe ofruar propozime lidhur me çështjet siç janë inkasimi i të hyrave dhe mundësitë e reja të inkasimit, grantet e përgjithshme (Granti i Arsimit, Granti i Shëndetësisë, Shërbimet Sociale, Kontigjentën Korrektuese), bashkëfinancimin, zotimet shumë-vjeçare, kontabiliteti dhe raportimi financiar, të hyrat shtesë, përfaqësimi i komunave në Komisionin e Granteve dhe trajtimi i mjetet e bartura nga viti paraprak për komunat.
Parë nevojën e një involvimi më të thellë në këtë fazë, grupi i dytë i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Ministrive të Linjës trajtoi inputet e dhëna nga ana e komunave dhe shqyrtoi qasjen që duhet ndërmarrë në këtë proces. Ishte dakordim i përbashkët që ky proces kërkon qasje multi-diciplinare, angazhim të madh dhe gjithëpërfshirje në mënyrë që Ligji i ri të sjellë efiçiencë dhe efikasitet më të madh.
Në kuadër të kësaj, grupi i dytë realizoi edhe një takim të përbashkët në Ministrinë e Financave në Republikën e Shqipërisë me Drejtoreshën e Përgjithshme të Buxhetit, znj. Mimoza Dhëmbi, dhe Drejtorin për Pushtetin Vendor, z. Fran Brahimi. Z. Brahimi dha një përmbledhje gjithëpërfshirëse për pushtetin lokal, nisur nga historiku e deri te rrjedha, arritjet dhe sfidat që kanë hasur në zbatimin e Ligjit për Financat e Vendore. Z. Brahimi theksoi se hartimi dhe miratimi i këtij Ligji është përcjellë me një proces gjithëpërfshirës dhe të hapur i shtrirë në më shumë se 16 muaj diskutime dhe konsultime të fokusuara me akterët e interesuar.
Në takim, Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, z. Besnik Tahiri u fokusua në procesin e reformës nëpër të cilin po kalon Republika e Kosovës, me theks në agjendën fiskale të qeverisjes lokale. Ndërkaq, Drejtori i Departamentit të Buxhetit në Ministrinë e Financave në Kosovë, z. Salvador Elmazi shfaqi interesimin për marrjen e një modeli të mirë nga Republika e Shqipërisë për financimin e nivelit lokal në Kosovë. Z. Elmazi theks të veçante vendosi mbi financimin e granteve për arsim, shëndetësi, njëherësh çështjen e zjarrfikësve dhe inspektoriateve.
Përfaqësuesit e të dyja vendeve u dakorduan që përgjatë procesit të fuqizojnë edhe më tej partnershipin duke shkëmbyer eksperienca dhe mësime të nxjerra përgjatë proceseve.
Diskutimet e fokusuara do të vazhdojnë edhe sot e nesër me qëllim të nxjerrjes së konkluzioneve dhe propozimeve konkrete, si dhe agjendën e veprimit për fazat në vijim. Instituti KLGI do të vazhdojë të ofrojë mbështetje teknike dhe profesionale edhe në fazat e ardhshme të hartimit të Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal.