U zhvillua paneli i dytë i diskutantëve ‘Drejt Reformave’ në Konferencën me titull “10 Vite pas Decentralizimit dhe Konstituimit të Qeverisjes Lokale – Sfidat e një Dekade, Rrugëtimi në Dekadën e Dytë”.
Paneli ‘Drejt Reformave’ ishte i përbërë nga: Ministri për Vetëqeverisjes Lokale në Republikën e Maqedonisë, z. Suhejl Fazliu; zëvendësministri i Punëve të Brendshme në Republikën e Shqipërisë, znj. Romina Kuko; Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Andi Seferi; Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, z. Besnik Tahiri dhe zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Republikën e Kosovës, z. Beqir Fejzullahu.
Ky panel adresoi përvojat dhe njohuritë mbi trendët e fundit të reformave në vendet evropiane apo rajon, për mundësitë e bashkëpunimit mes vendeve në bërjen realitet të këtyre reformave, e po ashtu për praktikat e mira të qeverisjes dhe demokracisë lokale në rajon.
Nga ky panel, konkluzion i përbashkët doli të jetë se procesi i decentralizimit nuk është thjesht një vendim, mirëpo proces i gjatë dhe i ndërlikuar që kërkon konsensus nga të gjithë akterët relevantë. Për rrjedhojë, duhet bërë analiza të thella, të duhura dhe efektive për të përcaktuar ndarjen e kompetencave dhe financave në nivelin lokal në shërbim të qytetarëve. Këto analiza po ashtu do të shërbenin për të adaptuar praktika të mira, duke ju shmangur modeleve që nuk funksionojnë brenda konteksteve të vendeve të caktuara.