Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), në kuadrin e mbështetjes së Ministrisë e Financave (MF) në procesin e hartimit të Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal (LFPL), organizoi takimin konsultativ me akterët e shoqërisë civile për koncept-dokumentin e kësaj fushe.
Grupi punues i Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal (LFPL) ka hartuar koncept-dokumentin dhe tani është në konsultim publik, andaj ky takim konsultativ pati për qëllim informimin e akterëve të shoqërisë civile për mbarëvajtjen e këtij procesi, njëherësh marrjen e inputeve dhe përfshirjen më të lartë të tyre në këtë proces.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, përfaqësues nga Ministria e Financave (MF), Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).
Gjatë analizës së funksionimit të pushtetit lokal, janë identifikuar disa çështje të cilat kanë nevojë të trajtohen, problematika të cilat janë paraqitur në koncept-dokumentit e LFPL, e të cilat u prezantuan para akterëve të shoqërisë civile.
Ndër këto problematika të cilat do të rregulloheshin me miratimin e LFPL janë: qartësimi i kompetencave të niveleve qeverisëse, përmirësimi i ofrimit të shërbimeve, përmirësimi i përfaqësimit të zërit të komunave në Komisionin e Granteve, avancimi i shërbimeve sociale, definimi i qartë i të hyrave vetjake komunale, vendosja e kritereve për planifikimin e nivelit të të hyrave vetjake komunale, vendosja e kritereve të qarta të financimit nga niveli qendror në nivel lokal, standarde dhe kritere të avancuara për grantin specifik për arsim dhe shëndetësi, si dhe rritjen e qëndrueshmërisë financiare për komunat e vogla.
Përgjatë takimit konsultativ u theksua se ka qenë e rëndësishme që koncept-dokumenti të kalojë në një proces të gjerë të konsultimit, duke pasur parasysh rëndësinë e financimit të qëndrueshëm të shërbimeve komunale. Ky proces kërkon zgjidhje të sfidave dhe mangësive të Ligjit aktual që rregullon Financat e Pushtetit Lokal.
Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit në ‘Mbështetje të Komunave të Forta dhe të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.