Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) së bashku me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal (MZHR) organizuan takimin për prezantimin e draftit final të “Analizës për Investime Kapitale të Ministrive të Linjës në Nivel Lokal dhe Rajonal në vitin 2018”.
Përgjatë takimit u prezantua përmbajtja e Draft – Analizës për Investime Kapitale të ministrive të linjës në nivel lokal/rajonal për vitin 2018 dhe lista e projekteve kapitale të financuara nga ministritë e linjës në komuna.
Me qëllim të promovimit të zhvillimit rajonal të balancuar përmes këtij dokumenti pasqyrohet shpërndarja e investimeve kapitale të ministrive të linjës në pesë rajonet zhvillimore: Qendër, Lindje, Veri, Perëndim dhe Jug.
Trajtimi i investimeve kapitale të ministrive të linjës në nivel lokal dhe rajonal, bëhet me qëllim të pasqyrimit të investimeve të balancuara nga niveli qendror në nivel lokal dhe rajonal. Para se gjithash, përmes kësaj, synohet të promovohet zhvillimi rajonal i balancuar, duke përfshirë të gjitha komunat dhe rajonet zhvillimore në investimet kapitale të nivelit qendror.
Parashikimi i investimeve kapitale ka për synim identifikimin e burimeve reale që do të ndikojnë në realizimin e projekteve te caktuara. Marrja parasysh e të gjithë faktorëve që ndikojnë në realizimin investimeve e përcakton cilësinë e parashikimit të tyre.
Përfaqësuesit e komunave pjesëmarrëse në takim, paraqitën komentet e tyre lidhur me draftin e prezantuar nga MZHR, numrin dhe saktësinë e emërtimeve të projekteve për të cilat kanë pranuar financim nga ministritë e linjës në vitin 2018. Të njëjtit, kontribuuan në finalizimin e draftit përmes propozimeve edhe të çështjeve tjera, që ndërlidhen me planifikimin dhe implementimin e projekteve qoftë nga niveli qendror por edhe ai lokal.
Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit ‘Mbështetje për Komuna më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.