Instituti KLGI në bashkëpunim me Organizatën Jo-Qeveritare “Syri i Vizionit” mbajti takimin e radhës regjional në Pejë, i cili bëri bashkë organizatat e shoqërisë civile në nivel lokal, për të diskutuar lidhur me format e fuqizimit të mekanizmave të shoqërisë civile dhe për rritjen kërkesave për llogaridhënie efektive nga institucionet lokale.
Takimi kishte për qëllim forcimin e komunikimit të strukturuar në mes akterëve lokalë në forcimin e agjendave të përbashkëta të bashkëpunimit të vazhdueshëm. Në këtë kontekst, është tejet i rëndësishëm forcimi i bashkëpunimit në mes shoqërisë civile dhe institucioneve lokale, duke vendosur synime strategjike dhe agjendën e përbashkët të veprimit. Përtej kësaj, kjo i shërben forcimit të demokracisë në nivel lokal, ku shoqëria civile në njërën anë është artikulues i problemeve, e në anën tjetër ofron mbështetje profesionale dhe mbikëqyrje për zbatimin e politikave.
Gjithashtu takimi regjional kishte për qëllim identifikimin e sfidave dhe problemeve në të cilat hasin organizatat e shoqërisë civile në nivel lokal në funksionimin e tyre, e po ashtu të identifikoi mundësitë dhe shkëmbyer përvojat e mira në avancimin e tyre.
Duke forcuar platformën e shoqërisë civile në nivel lokal, atëherë rritet kërkesa për llogaridhënie dhe përgjegjshmëria e vendimmarrësve. Në këtë kuadër, organizatat e shoqërisë civile lokale duhet të gjejnë formën më të mirë të organizimit në mes tyre me qëllim të përfaqësimit të duhur si sektor në raport me autoritetet publike komunale. Një platformë që do të përfshinte të gjitha organizatat e shoqërisë civile, mediat dhe akterët tjerë lokalë, që nëpërmes kësaj synohet rritja e rolit të shoqërisë civile nëpërmes forcimit të mekanizmave të qartë për veprim.
Ky takim ishte mundësi e mirë edhe për të krijuar rrjetëzim dhe bashkëpunime të mundshme përgjatë veprimtarive të organizatave të shoqërisë civile që operojnë në nivel lokal.
Takimi regjional u organizua në kuadër të programit ‘Mbështetje të Komunave të Forta dhe të Qëndrueshme (SSSM)’, e që për qëllim ka adresimin e sfidave dhe problemeve në të cilat hasin organizatat e shoqërisë civile në nivel lokal në funksionimin e tyre, e po ashtu për të identifikuar mundësitë dhe shkëmbyer përvojat e mira në avancimin e tyre.