Instituti KLGI mbajti sesionin diskutimi me temën “Korniza ligjore, ekzekutimi dhe raportimi i buxhetit në nivelin lokal” për të analizuar situatën aktuale të kornizës së financave lokale, e po ashtu ekzekutimin, raportimin dhe kontrollin financiar në nivel lokal.
Pjesëmarrës në këtë sesion ishin përfaqësues nga Drejtoritë për Buxhet dhe Financa nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Ky sesion lidhej me rëndësinë që komunat të përmirësojnë planifikimin dhe raportimin financiar në mënyrë që të arrijnë zhvillimin e qëndrueshëm, duke adresuar edhe rekomandimet e Zyrës Kombëtare te Auditimit.
Për më tepër, sesioni për synim kishte që përmes shpalosjes së problemeve nga komunat të dalin rekomandime/propozime konkrete për të lehtësuar dhe përmirësuar procesin e ekzekutimit dhe raportimit financiar. Raportimi financiar është mekanizmi kryesor për monitorimin e buxhetit të komunës përmes së cilit bëhet informimi mbi ecuritë dhe përmbushjen e planeve të grumbullimit të të hyrave, përmbushjes së obligimeve të planifikuara si dhe mënyrat e shpenzimit të parave sipas natyrës së shpenzimeve dhe kategorive të përcaktuara buxhetore.
Në hapje të sesionit drejtori ekzekutiv i Institutit KLGI, z. Besnik Muçaj, theksoi se një proces buxhetor i integruar mirë rezulton me vendime më të mira financiare, duke ndikuar kështu pozitivisht në funksionimin e përgjithshëm të komunave. Buxheti në qeverisjen lokale paraqet planin financiar, i cili specifikon të hyrat dhe shpenzimet për një periudhë të caktuar kohore. Andaj, përmes procesit buxhetor, institucionet në nivel lokal vlerësojnë nevojat e tyre kundrejt nivelit të buxhetit që kanë në dispozicion.
Drejtori i përgjithshëm i Thesarit, z. Ahmet Ismaili, theksoi se në kuadër të përgjegjësive të Thesarit është edhe kontabiliteti i shtetit si dhe përgatitja e raporteve periodike dhe vjetore të ekzekutimit të buxhetit. Të gjitha shpenzimet e buxhetit të shtetit, për organet qendrore dhe lokale, kryhen përmes Drejtorisë së Thesarit të Shtetit përmes sistemit të Llogarisë së Vetme të Thesarit.
Është e rëndësishme që të zbatohet me përpikëri legjislacioni relevant në fushën e financave publike, me qellim që të evitohen dhe mos paraqiten rastet kur për realizimin e projekteve nuk ka pasur fonde të mjaftueshme të zotuara.
Gjatë diskutimeve u njoftuan për të rejat nga Thesari, u morën komentet dhe u adresuan disa sfida të përbashkëta, në raport me përmirësimin e procesit që lidhet me financat lokale.
Ky aktivitet është në shtyllën e përmirësimit të ciklit të politikave publike në nivel lokal dhe realizohet në kuadër të projektit në ‘Mbështetje të Komunave më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.