Pas pesë moduleve dhe dy vizitave studimore, me një angazhim të jashtëzakonshëm, po përmbyllim gjeneratën e dhjetë të programit të avancuar “Akademia për Qeverisje Lokale – LGA”.
Në një program me ligjërata, trajnime, punë në grupe dhe vizita studimore, 20 pjesëmarrës përfituan aftësi dhe njohuri në fushën e qeverisjes lokale dhe politikave publike.
Në kuadër të modulit të pestë, në dy sesione të ndara u trajtuan temat: Lidershipi dhe Menaxhimi në Qeverisjen Lokale; Ndërtimi i Agjendës mes Shoqërisë Civile dhe Akterëve Lokalë. Përgjatë trajnimit, pjesëmarrësit e këtij moduli, të ndarë në grupe simuluan proceset e konsultimeve publike dhe adresimin e çështjeve legjislative dhe politikave, nëpërmjet platformës: klgi.platform.com.
Kjo praktikë e avancuar, do t’ua mundësojë zyrtarëve dhe akterëve të tjerë në nivel lokal që të mund t’i përdorin njohuritë dhe shkathtësitë e marra nga trajnimi, konform nevojave për adresimin e vështirësive dhe gjetjen e zgjidhjeve në proceset e qeverisjes.
LGA është program i avancuar i trajnimit që targeton zyrtarët e qeverisjes lokale, ministrive të linjës dhe akterët e shoqërisë civile. LGA është fokusuar në elaborimin e konceptit modern të qeverisjes lokale përmes moduleve trajnuese të cilat ofrohen në formë të ligjëratave, diskutimeve, punës në grupe, shkëmbimit të informacionit dhe vizitave studimore.
Aktiviteti u realizua në kuadrin e programit “Dialogu për Komunat Evropiane (DEM)”, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.