Instituti KLGI, në kuadrin e platformës dhe rrjetit për profesionistët e rinj, organizoi takimin e dytë në kuadër të një serie diskutimesh për ‘Lidershipin Transformues’. Në këtë takim fokus i veçantë i diskutimit ishin modele dhe praktika të lidershipit transformues në nivel lokal.
Mbi konceptet, modelet dhe praktikat e lidershipit transformues në nivel lokal, prezantuan Ertan Munuglu, Udhëheqës i Projektit DEMOS dhe Bekim Salihu, Hulumtues i lartë në Institutin GAP.
Në diskutim u theksua se një rritje graduale e përfshirjes së profesionistëve të rinj në qeverisjen lokale, do të ndikonte pozitivisht në fuqizimin e politikave dhe avancimin e proceseve në bazë. Në projeksionet e këtij ndryshimi një brez i ri i profesionistëve duhet të ndihet hisedar në fuqizimin e themeleve evropiane të qeverisjes me theks të nivelit lokal.
Një qasje transformuese kërkon disa parametra individualë dhe ekiporë, e ata bazohen në detyra praktike dhe pro-aktive; në motivim të stafit; në vendosmëri mbi detyra; në mobilizim të akterëve; në profesionalizëm, në përkrahje për zbatim të detyrave; dhe e rëndësishme në inovacion.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit ‘Mbështetje për Komuna më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.