Në zyrat e Institutit KLGI, përfaqësuesit e Institutit KLGI pritën në takim ekspertët nga organizata ‘European Centre for Social Welfare Policy and Research’, znj. Rahel Kahlert dhe znj. Veronika Sandu, si dhe nga organizata Save the Children, z. Trim Kabashi.
Takimi për fokus kryesisht pati një seri çështjesh që ndërlidhen me ofrimin e shërbimeve sociale në nivel lokal. Temat e diskutimit nisën nga identifikimi i sfidave në këtë fushë, e për të vazhduar me opsionet/masat që duhet ndërmarrë për tu ofruar zgjidhje shumë temave të cilat duhet adresuar për të arritur qëndrueshmëri në financimin e këtyre shërbimeve, njëherësh përmirësim të politikave në këtë fushë.
Shihet qartë se komunat, përkatësisht qendrat për punë sociale dhe divizionet e tjera që ofrojnë shërbime të tilla, ende mbeten të sfiduara nga ky proces. Në mënyrë që të hartohen politika sa më të qëndrueshme, është e rëndësishme që të ketë shmangie të politikave ad-hoc, njëherësh të ketë vetëdijesim, bashkëpunim dhe koordinim në mes të gjithë akterëve.
Çështja e shërbimeve sociale pritet që të zgjidhet me amandamentimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal (LFPL), ku Instituti KLGI në vazhdimësi do të ofrojë mbështetje profesionale dhe teknike për këtë proces.