Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) mbajti punëtorinë me temën “Roli i Administratës Publike në Ofrimin e Shërbimeve Komunale”. Punëtoria u mbajt në kuadër të programit “Një përpjekje drejt një qeverisje lokale të qëndrueshme dhe funksionale”, ku nëpërmes shtyllës ‘Rritja e Performancës Komunale’ Instituti KLGI po ofron një set mjetesh në shërbim të efikasitetit dhe efektivitetit të administratës komunale. Ndërkaq, pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin udhëheqësit e personelit nga niveli lokal në Kosovë.
Qëllimi i punëtorisë ishte ngritja e kapaciteteve të zyrtarëve komunalë në hap me trendet e reja në ofrimin e shërbimeve publike, siç janë: One-Stop Shop, e-shërbimet dhe shërbimet e integruara. Po ashtu, janë trajtuar temat që në thelb shtrojnë nevojën për intervenim dhe përmirësim të gjendjes në sektorët funksionalë në nivelin lokal, nisur nga planifikimi i qëndrueshëm, ndarja e qartë e përgjegjësive e deri tek llogaridhënia dhe vlerësimi.
Në hapje të punëtorisë, Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, z. Besnik Tahiri, foli për funksionimin e Administratës Publike, duke përmendur përvojat dhe praktikat e mira si One-Stop Shops dhe ato të ofrimit të plotë të shërbimeve në qendra të integruara nga vendet rajonale. Kjo pasi që në Kosovë, administrata ballafaqohet me probleme, duke përfshirë konfuzitetin, avancimin pa-meritor dhe interferencat politike dhe ndër-varësinë në ofrimin e shërbimeve.
Andaj, praktikat që promovojnë qeverisjen e mirë mundësojnë krijimin e një administrate të përgjegjshme, të digjitalizuar, e cila është e qasshme dhe transparente. Përmes standardizimit të shërbimeve dhe reformës, Tahiri theksoi se administrata duhet të kthehet në lehtësues të zhvillimit të vendit.
Ndërkaq, Drejtori i Departamentit të Administrimit të Shërbimit Civil në Ministrinë e Administratës Publike, z. Tefik Mahmuti, foli rreth problemeve që janë shfaqur me Ligje, me theks për Ligjin e Pagave, Ligjin për Shërbyesit Civilë dhe atë të Organizimit të Administratës. Z. Mahmuti informoi pjesëmarrësit Ministria e Administratës Publike (MAP) është në proces të përgatitjes së një Ligji të ri për definimin e përgjegjësive të punonjësve. Kjo pasi që është e domosdoshme të bëhet një ndarje e qartë në mes të kompetencave ekskluzive të nivelit lokal dhe atij qendror.
Pas prezantimeve, punëtoria e përcjell me një diskutim të përbashkët përmbajtësor, ku u dakordua që ky grup të vazhdojë adresimin e këtyre çështjeve bashkërisht me Institutin KLGI në procesin e draftimit të Ligjeve të reformës së administratës. Kjo do të përfshijë edhe trajtimin e modeleve dhe vizitat rajonale.
Në grupe pune u trajtuan katër çështje: i) fushat që duhet të preken nga reforma; ii) qasja e riorganizimit të sektorëve komunalë; iii) procesi i dekoncentrimit të shërbimeve dhe ofrimi i integruar i shërbimeve; dhe iv) kontraktimi i shërbimeve, administrimi i përbashkët dhe matja e performancës.
Ishte dakordim i përbashkët se legjislacioni duhet të hartohet mbi parimet e një administrate publike funksionale që është parakusht për një qeverisje demokratike, transparente dhe llogaridhënëse. Kjo do të forconte themelet e funksionimit të shtetit, duke përcaktuar aftësinë e qeverisë për të ofruar shërbime publike dhe për të kultivuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe parimet e qeverisjes së mirë.
“Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)”.