Zgjedhjet lokale 2025 do të zhvillohen me ndryshime në strukturën e Kuvendeve Komunale, si rezultat i ndryshimit të numrit të popullsisë në komuna.
Numri i anëtarëve të Kuvendeve Komunale përcaktohet me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Neni 36, pika 1, përcakton se numri i anëtarëve në Kuvendin e Komunës të një komune duhet të jetë proporcional, varësisht nga numri i qytetarëve në komunë.
Bazuar në regjistrimin e popullsisëdhe rregullat e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, Kuvendet Komunale do të kenë këto ndryshime:
Rënie në numrin e anëtarëve do të kenë gjithsej 15 komuna: Deçani, Gllogoci, Dragashi, Kaçaniku, Kamenica, Mitrovica, Leposaviqi, Rahoveci, Skënderaj, Shtimja, Suhareka, Vushtrria, Zveçani, Malisheva dhe Mitrovica e Veriut.
Rritje në numrin e anëtarëve të Kuvendeve Komunale do të kenë 2 komuna, konkretisht Fushë-Kosova dhe Ferizaj.
Ndërsa, ndryshime nuk do të ketë në 21 komuna: Gjakova, Gjilani, Istogu, Klina, Lipjani, Novobërda, Peja, Podujeva, Prishtina, Prizreni, Shtërpca, Vitia, Zubin Potoku, Obiliqi, Juniku, Mamusha, Hani i Elezit, Graçanica, Ranillug, Parteshi dhe Kllokoti.
Pra, duke u bazuar në këtë analizë, shumica e komunave (21 nga gjithsej 38) nuk kanë ndryshime në numrin e anëtarëve të Kuvendit Komunal. Një numër i konsiderueshëm prej 15 komunash do të përjetojnë rënie të numrit të anëtarëve, ndërsa vetëm 2 komuna do të ketë rritje.
Nëse i referohemi numrit të përgjithshëm të anëtarëve të kuvendeve, del se në të gjitha komunat do t’i kemi 60 anëtarë më pakë në Kuvendet Komunale.