Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) mbajti takimin e radhës regjional, ku bëri bashkë organizatat e shoqërisë civile në nivel lokal në regjionin e Prishtinës, për të diskutuar lidhur me forcimin e mekanizmave të shoqërisë civile dhe për rritjen kërkesave për llogaridhënie efektive nga institucionet lokale.
Takimi regjional organizohet në kuadër të programit në ‘Mbështetje të Komunave të Forta dhe të Qëndrueshme (SSSM)’, e që për qëllim pati identifikimin e sfidave dhe problemeve në të cilat hasin organizatat e shoqërisë civile në nivel lokal në funksionimin e tyre, e po ashtu për të identifikuar mundësitë dhe shkëmbyer përvojat e mira në avancimin e tyre.
Përtej kësaj për të forcuar komunikimin e strukturuar në mes akterëve lokalë në forcimin e agjendave të përbashkëta të bashkëpunimit të vazhdueshëm. Duke forcuar platformën e shoqërisë civile në nivel lokal, atëherë rritet kërkesa për llogaridhënie dhe përgjegjshmëria e vendimmarrësve.
Në këtë kuadër, organizatat e shoqërisë civile lokale duhet të gjejnë formën më të mirë të organizimit në mes tyre me qëllim të përfaqësimit të duhur si sektor në raport me autoritetet publike komunale. Një platformë që do të përfshinte të gjitha organizatat e shoqërisë civile, mediat dhe akterët tjerë lokalë, që nëpërmes kësaj synohet rritja e rolit të shoqërisë civile nëpërmes forcimit të mekanizmave të qartë për veprim.
Ishte dakordim i përbashkët që është i nevojshëm themelimi i trupave që koordinon dhe vendos komunikim të strukturuar në mes shoqërisë civile dhe komunave. Kjo do të shtrihej në dy rrafshe: e para në komunikimin e strukturuar dhe e dyta në koordinimin e përbashkët të aktiviteteve.
Përtej kësaj, kjo i shërben forcimit të demokracisë në nivel lokal, ku shoqëria civile në njërën anë është artikulues i problemeve, e në anën tjetër ofron mbështetje profesionale dhe mbikëqyrje për zbatimin e politikave.
Ky takim i përbashkët ishte mundësi e mirë edhe për të krijuar rrjetëzim dhe bashkëpunime të mundshme përgjatë veprimtarive të organizatave të shoqërisë civile që operojnë në nivel lokal.
Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit në ‘Mbështetje të Komunave të Forta dhe të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.