Module one / relations between the municipal executive and legislative

Vizita/takime:

  • Takim me Ministrin e Vetëqeverisjes Lokale z.Tahir Hani  dhe kabinetin e ministrit
  • Takim në Komunën e Tetovës znj. Teuta Arifi dhe kryetarin e këshillit komunal z. Hisen Xhemaili
  • Vizitë në Komunën e Bogovinës, takim me Kryetarin e Komunës z.Hazbi Idrizi dhe stafin e komunës
  • Vizitë në Komunën e Gostivarit, takim me ekzekutivin komunal
  • Vizitë në Komunën e Strugës, takim me Kryetarin e Komunës z.Ziadin Sela
  • Vizitë Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT) takim me rektorin z.Vullnet Ameti
  • Vizitë Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) takim me z.Andrew Goodspeed, Prorektor për Çështje Akademike dhe z.Agron Rustemi, Prodekan në Fakultetin e Administratës Publike

LIgjerata:

  • Prezantimi (Qeverisja e Mirë) z.Besnik Tahiri, Magjistër i Qeverisjes Lokale dhe Zhvillimit Ndërkombëtar
  • Organizimi dhe Funksionimi i Qeverisjes Lokale (aspekti ligjor), z.Agron Maxhuni, Drejtor Ligjor – MAPL
  • Raportet në mes Kuvendit të Komunës dhe Kryetarit të Komunës, z.Besnik Tahiri, Magjistër i Qeverisjes Lokale dhe Zhvillimit Ndërkombëtar
  • Bashkëpunimin ndër-komunal, z.Agron Maxhuni, Drejtor Ligjor – MAPL dhe z.Besnik Tahiri, Magjistër i Qeverisjes Lokale dhe Zhvillimit Ndërkombëta

Pa përkrahjen e Qeverisë decentralizimi është i dështuar

Ky ishte konstatimi i dalë në përmbylljen e modulit të parë të programit edukativ Akademia për Qeverisje Lokale të organizuar nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale me rastin e vizitës studimore në Republikën e Maqedonisë.

Besnik Tahiri, drejtor ekzekutiv i këtij instituti duke analizuar procesin e decentralizimit në vendet e rajonit theksoi se procesi i reformës lokale në rastin e Bosnje e Hercegovinës i dalë nga marrëveshja e Dejtonit, ai i  Kosovës i dalë nga pakoja gjithëpërfshirëse e presidentit Ahtisari dhe ai i Maqedonisë e dalë nga marrëveshja e Ohrit janë të rrezikuara të dështojnë në rast se dhe më tutje vazhdon të mungoj përkrahja e Qeverisë Qendrore karshi asaj Lokale.

Tahiri përmendi tri parakushte që të ndodh decentralizimi: I pari i referohet shkallës së lartë të kapacitetit qendror të shtetit. Për shkak se zbatimi efektiv i decentralizimit kërkon koordinimin ndërmjet niveleve dhe kërkon më shumë rregullore për ta garantuar transparencën themelore, llogaridhënien dhe një shtet i dobët nuk mund të zbatojë decentralizimin në mënyrë të suksesshme.

Kërkesa e dytë është një shoqëri civile e zhvilluar mirë. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për aspektin pjesëmarrës, por edhe për shkak se do të mund të ofronte burime shtesë për informim, komente si dhe kritika konstruktive për pushtetin lokal.

I treti është një projekt politik në të cilin një forcë e organizuar politike përkrah decentralizimin dhe siguron zbatimin e tij. Po ashtu nuk duhet të harrojmë se qeverisja efektive lokale varet nga burimet e ekzistuese, të cilat janë adekuate dhe të qëndrueshme.

“Deri sa flasim për decentralizimin, komunat nuk kanë mjete për ushtrimin e funksioneve, kjo e bënë të vështirë punën në ofrimin e shërbimeve cilësore tek qytetarët, pra është domosdoshmëri  të flasim për problemet dhe modelet e qeverisje lokale efektive.” theksoi Tahiri

Në kuadër të kësaj vizite studimore pjesëmarrësit patën rastin të takohen me Ministrin e Vetëqeverisjes Lokale, z. Tahir Hani, Kryetaren e Komunës së Tetovës, znj. Teuta Arifi, Kryetarin e Komunës së Bogovinës z. Hazbi Idrizi, Kryetarin e Komunës së Strugës, z. Ziadin Sela dhe Ekzekutivin e Komunës së Gostivarit.

Përmes këtyre takimeve pjesëmarrësit në program patën rastin të njihen po ashtu me raportet në mes ekzekutivit komunal dhe asambleve komunale, zbatimin e procesit të decentralizimit, funksionalitetin e komunave dhe ofrimin e shërbimeve nga ndërmarrjet komunale si dhe u trajtuan shumë tema që ndërlidhen me aspektet e qeverisje së mirë dhe bashkëpunimit ndër-komunal.

Në kuadër të programit janë 40 anëtarë, kryetarë dhe nënkryetarë, kryetarë të kuvendeve komunale, kurse pjesëmarrësit e tjerë janë nga niveli i drejtorëve dhe shefa të grupeve parlamentare. Ky grup i zyrtarëve vijnë nga komuant (Prizren, Gjilan, Klinë, Kamenicë, Shtërpcë, Podujevë dhe Graçanicë), në program përfshihen dhe pjesëmarrës që vijnë nga institucione qeveritare, mekanizma të pavarur dhe organizata të shoqërisë civile.

Takimi me ministrin e qeverisjes lokale të Republikës së Maqedonisë, z. Tahir Hani

Ministri Hani në hapje të bashkëbisedimit theksoi se: Ka ekzistuar gjithmonë një konfrontim mes pushtetit lokal dhe atij qendror. Ndërsa procesi i decentralizimi në Republikës e Maqedonisë është bërë përmes parimit të Badenterit dhe tani është në fazë të qëndrueshme të bartjes së kompetencave.

Ministri Hani theksoi se Pushteti lokal përmban 6.36% të gjithë buxhetit të Republikës së Maqedonisë ndërkaq një përqind (1%) e buxhetit të përgjithshëm të Republikës se Maqedonisë shkon për zhvillim të barabartë rajonal, duke u bazuar në ligjin për zhvillim të barabartë rajonal. Legjislacioni që rregullon fushën e qeverisjes lokale rregullohet me këto ligje:

Marrëveshja kornizë e Ohrit; Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë;
Ligji për organizim territorial; Ligji për vetëqeverisje lokale;
Ligji për zhvillimin e barabartë rajonal;
Ligji për inspektoratin shtetëror të vetëqeverisjes lokale;
Ligji për bashkëpunim ndër-komunal si dhe
Ligji për qytetin e Shkupit

Republika e Maqedonisë ka 84 komuna dhe komuna e Shkupit, ndërkaq parashihet të themelohen dhe 2 apo 3 komuna të reja. Shtylla e Marrëveshjes së Ohrit ka qenë decentralizmi. Komunat kanë decentralizim fiskal të mirë. Republika e Maqedonisë në vitin 2002 me marrëveshjen e Ohrit është ndarë në 80 komuna dhe qytetin e Shkupit në të cilin hyjnë 9 komuna.

Maqedonia është e ndarë në 8 regjione. Komuna më e vogël është komuna e Veçanit me përafërsisht 3.000 banorë, ndërsa qendrat me të mëdha janë Shkupi me rreth 300.000 banorë, Komuna e Kumanovës me diku rreth 100.000, si dhe Tetova dhe Manastiri. Mbi 25% janë shqiptarë në Maqedoni.

Në fund ministri hani theksoi se për komunat është i rëndësishëm menaxhimi i drejtë i të mirave publike. Nëse menaxhimi është i drejtë do të kemi një stabilitet politik, nëse nuk bëhet mirë atëherë një vend e pret destabiliteti.

Takim me Kryetaren e Tetovës, znj. Teuta Arifi

Kryetarja Arifi në hyrje theksoi se: Komuna e Tetovës është komuna e dytë më e madhja në Maqedoni dhe qendra e dy universiteteve. Ekziston një barazi e plotë politike në Maqedoni. Barazi, në kuptimin e lejimit të përdorimit të gjuhës, kulturës, simboleve etj. Sa i përket Decentralizmit fiskal është element kyç i funksionimit të një komune.

Tatimi mbi vlerën e shtuar është 16% në Maqedoni, por 4% u kthehen komunave. Komuna e Tetovës ka bërë ulje mbi 4 herë të shpenzimeve komunale krahas qeverisjes paraprake. Është bërë një ulje e rrogave nga posti i kryetarit deri të nivelet me të ulëta. Duke e ruajtur buxhetin, komunat mund të funksionojnë.

Mendësia dhe mentaliteti i Ballkanit në përgjithësi është central dhe patriarkal, prandaj decentralizmi has në vështirësi në këtë rajon. Disa komuna të Maqedonisë kanë tentuar të lidhen marrëveshje me komuna të Kosovës, për thithjen e fondeve nga Bashkimi Evropian, si programi IPA. Por, ca komuna të Kosovës kanë lidhur marrëveshje të dyfishta, të cilët nuk janë të lejuara dhe kësisoj bashkëpunimi ndër-komunal ka ngecur.

Tetova ka diku rreth 86.000 banorë, dhe mbi bazën e numrit të banorëve është i përcaktuar dhe numri i këshilltarëve komunal. Komuna e Tetovës ka 31 këshilltar komunal. Buxheti i komunës së Tetovës është 25 milion, ku 5-6 janë investime kapitale. Komunat menaxhojnë me shkollat e mesme dhe fillore, programet shkojmë përmes këshillit të komunës.

Tetova ka 7 sektor, të cilat në Kosovë njihen si drejtori. Një ish udhëheqës sektori tani është kandidat për president. Inspektorati komunal verifikon kushtetutshmërinë e vendimeve komunale. Vendimet në Komunë merren me votim të dyfishtë.

Unë si kryetare e komunës kam vendosur që të fuqizoj ekipin sektorial e jo atë kabinetik, ngase duke vendosur aty persona kredibil shtyhen më së miri politikat sektoriale që prekin drejtpërsëdrejti ofrimin e shërbimeve.

Vizitë Universitetit të Tetovës, takim me rektorin e z.Vullnet Ameti

Universiteti i Tetovës është themeluar në vitin 1994. Ka 11 fakultete, më 47 programe studimore. Në vitin 2013 ka pranuar 4.000 student të rinj, ndërsa në vitin parashihet të pranohen 5400 studentë. Lëvizshmëria shoqërore bëhet përmes universitetit. Universiteti ka rol kyç në ndërtimin e një shoqërie. Universiteti i Tetovës se bashku me komunën kanë përpiluar një projekt që kishte të bënte me ruajtjen e biodiversitetit të malit të Sharrit.

Pjesëmarrësit në Akademinë për Qeverisje Lokale gjatë vizitës së tyre në USHT patën mundësin që drejtpërsëdrejti të shohin rendësin që edukimi i lart luan në përgatitjen e një gjenerate e cila  do të jetë e aftë që të qeveris më mirë në nivelin komunal por dhe në nivelet tjera. Po ashtu universitetit i kanë shërbyer dhe ngritjes së vetëdijes në lidhje me rendësin e integrimit rajonal që të rinjtë.

Vizitë Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) ,Takim me Prorektorin për Çështje Akademike z.Andrew Goodspeed, dhe Prodekanin e Fakultetin e Administratës Publike z.Agron Rustemi.

Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) është themeluar në vitin 2001 dhe ka 5 fakultete. Akreditohet nga Ministria e Arsimit të Maqedonisë. Universiteti vetë-furnizohet me energji, përmes prodhimit të saj me erë dhe diell. Një komponent shtesë në këtë drejtim është edhe ndikimi në përmirësimin e profilit dhe imazhit të komunës në këtë rast Tetovës nëpërmes edukimit siç është përgatitja e të rinjve por dhe bartjes së mesazhit se komuna është  interesuar që të investoj në fushën e edukimit.

Vizita në Universitetin e Evropës Juglindore u ka mundësuar pjesmarrësve që të shohin drejtpërdrejt se si menaxhohet një universitet dhe cila është rëndësia e kurikulimit dhe përmbajtjes së kurikulimit  në lidhje me qeverisje, në lidhje me drejtësi, administratë dhe fusha të tjera.

Ligjëratë nga z. Besnik Tahiri Magjistër i Qeverisjes Lokale dhe Zhvillimit Ndërkombëtar – “Qeverisja e mirë”

Tahiri duke folur për takimin në Ministrin e Pushtetit Lokal në Maqedoni theksoi se Ligjin për zhvillim të barabartë rajonal nuk e kemi në Kosovë.  Përderisa në Kosovë Ministria e Pushtetit Lokal e luan rolin e referit, dhe u pa qartë se komunat kanë humbur për shkak të menaxhim të aplikimit për thithjen e fondeve nga Bashkimi Evropian, duke aplikuar me nga dy partner një komunë.

Sa i përket diskursit se një kryetar i mirë nuk është një që kursen opinioni im është se nuk mund të jesh kryetar i mirë nëse nuk din të investojë në atë që gjeneron zhvillim dhe mirëqenie.

Tahiri më pastaj filloj me prezantimin e tij rreth Qeverisjes së Mirë.

Definicionet dhe dimensionet e Qeverisjes së mirë:

  • Banka Botërore qeverisjen e mirë e definon si menaxhimi i sigurt në zhvillim të shtetit.
  • UNDP-ja, e quan si ushtrimi i autoritetit politik, ekonomik dhe administrativ për t’i menaxhuar çështjet e një vendi.
  • USAID-i e ndërlidh me përpjekjet për demokratizim. Fokus të drejtat e njeriut, llogaridhënia në sektorin publik, sundimi i ligjit, tregjet e lira, shoqëria civile, pluralizmin, dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve.

Tri dimensionet e Qeverisjes së Mirë janë: Shteti, Sektori privat dhe Shoqëria Civile.

  • Sindikatat kanë luajt një rol të madh në demokraci.
  • Kemi dy aspekte të qeverisjes: teknik dhe përfaqësues
  • “Arroganca është vetëvrasja e një politikani”.
  • Politikat zakonisht vendosen në atë që quhet “Kitchen Kabinet”.

Parimet e Qeverisjes së Mirë janë:

Pjesëmarrja; Sundimi i ligjit; Transparenca; Përgjegjshmëria; Konsensusi; Barazia dhe gjithë përfshirja; Efektiviteti dhe efikasiteti dhe Llogaridhënia.

Qeverisja është kulturë. Një qeverisje e mirë është tepër e vështirë për tu arritur.

Ligjëratë nga z. Besnik Tahiri Magjistër i Qeverisjes Lokale dhe Zhvillimit Ndërkombëtar – Kryetari i Komunës përfaqësues apo dominues

Tahiri theksoi se në esencë, prezantimi synon të qartësojë pozicionimin e institucionit të kryetarit si institucion kyç në trekëndëshin, kryetar (ekzekutiv) – kuvend komunal (legjislativ) – qytetar (shoqërisë civile). Konstatimi i themelor i këtij i dalë nga puna e KLGI-së është se roli i institucionit të kryetarit në sistemin e qeverisjes lokale në Republikën e Kosovës shtron nevojën për më shumë kontroll, baraspeshë dhe mbi të gjitha llogaridhënie të brendshme institucionale, si dhe kundrejt publikut.

Gjatë punë me komunat është parë se për shkak të rolit shumë të fuqishëm të institucionit të kryetarit në njërën anë, dhe në anën tjetër rolit pasiv të Kuvendit Komunal, i kombinuar me apatinë qytetare rezulton me shfaqjen e një deficiti demokratik shumë shqetësues për  zhvillimet e qeverisjes lokale tani, dhe në të ardhmen.” 

Kjo situatë mund të shpjegohet me mungesën e praktikave të dobishme dhe aranzhimeve të përcaktuara në mënyrë të qartë që do të sigurojnë llogaridhënien e kryetarëve të komunave në raport me vet qytetarët. Përveç kësaj, një kulturë e përgjithshme demokratike që do të mbajë kryetarin vazhdimisht në përgjegjësi të detyrës dhe do të kërkojnë llogari është po thuajse jo egzistente pas përfundimit të cikleve zgjedhore, kryetarët mund të qeverisin pa marrë parasysh preferencat e qytetarëve.

Pjesëmarrja zgjedhore dhe njohuritë e qytetarëve lidhur me mekanizmat e llogaridhënies mbeten shumë të ulëta dhe nga të njëjtit ka pak interes për proceset e pjesëmarrjes në vendimmarrje. Kjo vjen si rrjedhojë se kryetarët në vazhdimësi po ngecin për të inkurajuar pjesëmarrjen e gjerë në komisione konsultative dhe duke marrë shumë pak informacion lidhur me rezultatet e debateve publike. Shumica e komunave nuk kanë krijuar mekanizma jo-formal të konsultimit me aktorë tjerë duke përfshirë shoqërinë civile. Zhvillimi i mekanizmave të kontrollit në nivel publik nuk është stimuluar sa duhet nga kryetarët të cilët mbajnë në dorë buxhetin për financimin e shoqërisë civile. 

E fundit por jo edhe nga rëndësia, ky botim shpjegon dominimin e kryetarit, si rezultat i një kulture të pasivitetit që përshkon shumicën e kuvendeve (Asambletë Komunale) në nivel vendi. Mungesa e përgjegjësisë horizontale është përsëri një pikëpyetje e dizajnit (rregullimit) institucional. Kjo shpjegohet pasi që kuvendi komunal si institucion nuk ka linjë buxhetore, dhe në disa raste atyre ju mungojnë resurset themelore, duke përfshirë zyrat, pajisjet tjera të nevojshme për punë efikase dhe për të ushtruar përgjegjësitë e tyre. Pasiviteti është përkeqësuar nga një sistem të politikës partiake, që vënë besnikërinë ndaj partisë më lartë se reagimin ndaj nevojave të qytetarëve

Takim me kryetarin e Komunës së Bogovinës z. Hazbi Idrizi

Kryetari z. Idrizi theksoi se ky është mandati i katërt si kryetar komune. Ai para pjesëmarrësve theksoi se Bogovina gjendet në lartësinë prej 480 metrave dhe ka rreth 30.000 banorë. Në vitin 1996 bëhet ndarja territoriale nga Tetova e Kamjanit dhe Bogovinës, ndërsa në vitin 2004 bëhet një ndarje e re, bashkimi i Kamjanit me Bogovinën. “Ka një trend pozitiv me ndarjen e re të Komunës”. Ndërkaq tani kemi arritur në dhënien në mënyrë elektronike të lejes për ndërtim.

Kemi arritur partneritet bashkëpunimi me Elbasanin në projektin e financuar nga BE-ja. Sa i përket TVSH-së ajo u kthehet komunave 4.5 %, kurse hyrjet e tjera të cilit i grumbullon komuna dalin nga tatimi mbi pronë, urbanizmi, taksa shit-blerjes etj. Kryetari Idrizi njoftoi po ashtu pjesëmarrësit me zhvillimet në këtë komunë, proceset që ka kaluar që nga decentralizimi, sfidat që ka kjo komunë.

Po ashtu z. Idrizi sqaroi se për përmirësimin e buxhetit komunal apo rritjen e të hyrave në buxhet, duhet që të paguhen taksat dhe tatimet (obligimet e qytetarëve) ndaj komunës, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies në komunë, pasi që këto shërbime që qytetarët paguajnë ndaj nesh, ne në një mënyrë ua kthejmë atyre duke realizuar projekte të ndryshme të cilët përmirësojnë infrastrukturën shkollore, rrugore dhe e gjitha kjo me qëllim që qytetarët të jenë kënaqur me nivelin e shërbimeve që ne ju japim atyre.

Takim me ekzekutivin e komunës së Gostivarit

Përfaqësuesit ekzekutivit  theksuan se Gostivari është njëra prej 5 komunave me të mëdha në Maqedoni. Ka diku rreth 80.000 banorë. Model i bashkëjetesës qytetare, se si duhet të jetojnë kombësitë e ndryshme në një vend.  Ku 65% janë shqiptarë, 19% maqedonas, të tjerët janë romë, turq dhe boshnjakë.

Këshilli komunal i Gostivarit ka 31 këshilltar komunal; 21 shqiptarë, 6 maqedonas, 2 romë dhe 2 turq. Këshilli i propozon planet ndërsa kryetari dhe administrata e tij i ekzekutojnë. Për të aprovuar një plan duhen së paku 16 nga këshilltarët komunal të jenë pro. Komuna ka 6 sektor, ku 4 janë po ata që kanë qenë dhe me parë po ashtu ka dy ndërmarrje publike.

Me ndryshimin e ligjit për ndarje regjionale në vitin 2005, komunës së Gostivarit i bashkohen edhe 4 komuna të tjera. Me decentralizimin, u dhanë komunave kompetenca për urbanizimin (p.sh dhënia e lejes për ndërtim). Edhe arsimi me shkollat fillore dhe të mesme me decentralizim u transferuan në pushtetin komunal. Por, infrastruktura shkollore mbetet në kompetencën e qeverisë qendrore.  Gostivari ka një buxhet prej 16.000 milion euro, afër 3 milion  janë për investime kapitale dhe ka të punësuar 122 punonjës.

Takim me kryetari e Strugës z. Ziadin  Sela

Delegacioni është pritur nga kryetari i komunës, Ziadin Sela, i cili në këtë takim ka njohur ata lidhur me procesin e decentralizimit dhe karakteristikat e tjera. Kështu z. Besnik Tahiri shprehu interesin të njihej nga Kryetari i Komunës së Strugës në lidhje me arritjet dhe problemet në proceset e decentralizimit.

Kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela në përgjigje të kësaj pyetjeje u shpreh:

‘’Bashkë me marrjen e kompetencave si pushtet lokal trashëguam dhe detyrimet përfshirë edhe borxhet. E kam fjalën këtu për një borxh të marrë në vitin 1998 nga ndërmarrja publike ‘Proaqva’’, ku deri tani ne kemi paguar 1 milion e 400 mijë euro, ndërsa Komuna e Ohrit nuk ka paguar asnjë cent dhe ende vazhdojmë të paguajmë . Ndërkohë që investimet janë bërë 90 për qind në Ohër e 10 për qind në Strugë. Në Ohër nuk mund të gjesh asnjë gyp azbesti , ndërsa në Strugë po. Ne hasim edhe me probleme të tjera si komunitet, të cilat janë përmendur në Marrëveshjen e Ohrit, por kjo nuk do të thotë se janë zgjidhur.

Një çështje që është parashikuar në marrëveshjen e Ohrit është vendimmarrja, që sanksionon parimin e Badenterit, i cili po shihet tani pas 10 viteve se nuk plotëson nevojat e kësaj popullate për pengimin e majorizimit. Përkundrazi, ky parim përdoret në mënyrë që të pamundësojë komunat, që edhe nëse kanë shumicë shqiptare nëpërmjet këtij parimi bllokohen.

Decentralizimi i pushtetit është gjithashtu një çështje tjetër e përmendur në Marrëveshjen e Ohrit  dhe që ne vazhdojmë të kemi akoma probleme. Ne realisht nuk kemi decentralizim të pushtetit në çdo aspekt. Edhe nëse flasim për urbanizmin , ne mund të japim jele ndërtimi dhe ngjashëm, por përsëri fjalën e fundit e ka Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Ne mund të hapim debat publik me qytetarët për të sjellë plan gjeneral, mund të propozohet në këshill duke kaluar të gjitha filtrat edhe nëpërmjet propozimit të komunës, të votohet. Natyrisht kjo bëhet nëpërmjet një kompanie private që do të harrojë teknikisht këtë plan. Ne do të harxhojmë 1 vit, do të harxhojmë edhe para për të paguar këtë kompani dhe nëse i kujtohet ministrit përkatës nuk e kalon. Është një pozitë shumë e vështirë për interesa e për mbajtjen e pushtetit.

Me arsimin gjithashtu kemi probleme, trashëguam shkolla me buxhete të bllokuara dhe përsëri përballemi me ndarjen e mjeteve. Ndarja e atyre mjeteve nuk përkon me situatën që ndodhemi tani. Ne kemi paralele edhe me 5 nxënës. E në këtë mënyrë 90 për qind e mjeteve shkojnë për rroga, sepse është e vështirë të bësh racionalizimin e paraleleve duke krijuar probleme sociale.
Sa i përket buxhetit, 3.5 për qind e TVSH normalisht do të kthehej do  të zgjidheshin shumë gjëra, mirëpo kjo nuk ndodh dhe kjo e kombinuar me ligjin për barazi rajonale të vitit 2009, jo vetëm që nuk i ndihmojnë barazisë rajonale por thellojnë pabarazitë duke përdorur standarde të dyfishta.’’

Ndërkaq z.Besnik Tahiri duke bërë përmbledhjen e asaj që u tha theksoi se ‘’Tendenca e degradimit në vazhdim dhe mos dërgimi i investimeve kapitale, nga qendra tek komuna e varfëron shoqërinë. Që nënkupton se nuk ka decentralizim politik, nuk ka zhvillim të një komune, apo  rajoni, pa përkrahje, pa mbështetje dhe pa zbatim të ligjit nga qeveria qendrore duke i’u referuar dhe problemet me borxhet.

Ndërsa sa i përket  TVSH-së z. Tahiri tha se në komunat, Bogovinë, Tetovë, Gostivar  u fol me krenari për decentralizmin fiskal për faktin se 3.5 për qind i takojnë komunave nga 18 përqindëshi I përgjithshëm. Por, në fakt ajo çka ndodh është formula e njëjtë si  në Kosovë.   Për shkak se TVSH-ja mblidhet në total në qendër, ndërsa shpërndahet me një tjetër kriter, pra mblidhet në bazë kontributi, ndërsa shpërndahet në mënyrë proporcionale. Decentralizimi fiskal ka kuptim vetëm nëse kontributi i kthehet qytetarit theksoi Tahiri.

Ndërsa pyetja tjetër kishte të bëjë në lidhje me e-lejet për urbanizmin.

‘’Leja elektronike na e komplikoi situatën për ca kohë. Por e kemi tejkaluar këtë situatë. Ideja është që qytetari të ketë më shumë qasje, procesi të jetë më transparent , etj. Vetëm se, ne kemi problem tjera më reale. Nuk mund të aplikosh një sistem, ku aktualisht e përdorin vetëm 2 shtete në gjithë botën.

Pa kaluar akoma në fazën tjetër digjitalizohet edhe kadastra dhe dalin probleme në drejtim të marrjes së certifikatës sepse sistemin ende nuk e kanë përshtatur. Kjo situatë na mori rreth 6 muaj. Unë si kryetar komune sapo erdha, brenda dy javësh u soll ligji që lejet të jepen në mënyrë elektronike, ndërkohë që nuk ishte trajnuar asnjë punonjës, kompjuterit ishin të vjetër, etj. U detyruam të blejmë kompjutera të rinj, të trajnojmë stafin, të harxhojmë edhe për nënshkrimet elektronike, sepse veç kryetarit nevojiten dhe nënshkrimet e punonjësve të tjerë të urbanizmit.

Megjithatë, ne e tejkaluam këtë situatë ndër të parët dhe ne japim përditë leje dhe në raport me komunat e tjera jemi ndër të parat me nr. e lejeve të dhëna. Si koncept pra , e-lejet janë rregull, por  praktikisht duhen menduar më tepër gjërat sepse përballemi me probleme shumë më të mëdha reale.‘’- Sqaroi Kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela.

Agron Maxhuni, drejtor i departamentit ligjor  – MAPL

“Sistemi i organizmit dhe funksionimit të Komunave”

 “Bashkëpunimi ndër Komunal”

Kosova ka 38 komuna. Kufijtë administrativ janë bërë përmes zonave kadastrale. Sistemi i vetëqeverisjes në Kosovë është një shkallësh. Komunat e kanë statusin e personit juridik. Parimet e vetëqeverisjes lokale: Parimi i ligjshmërisë, Qeverisjes së mirë, Transparencës, Efikasitetit dhe efektivitetit dhe subsidiariteti.

Kuvendet Komunale miratojnë statutin e Komunës dhe rregulloret komunale. Po ashtu miratojnë buxhetin, planet investuese, planin e punës, raportin vjetor si dhe mund të themelonë trupat ndihmëse të Kuvendit Komunal.

Z.Agron Maxhuni foli edhe për standardet ndërkombëtare të adoptuara në legjislacionin e brendshëm, ku tha se këto standarde ndikojnë drejtpërsëdrejti në cilësinë e jetës së qytetarëve të Komunave të Kosovës. Me tej ai vazhdoje se, Zbatimi i legjislacionit dhe parimeve të qeverisjes së mirë janë përgjegjësi e organeve te komunave që dalin nga zgjedhjet lokale.

Partneriteti i qeverisë qendrore, qeverisë lokale, dhe instituteve të specializuara që merren më qeverisje lokale po ashtu ndikon në ofrimin e shërbimeve publike të qëndrueshme dhe cilësore për qytetaret e komunave. Z.Maxhuni përfundoj se Ky partneritet ndikon ne ngritjen e kapaciteteve lokale të strukturave politike dhe administrative në ofrimin e shërbimeve të kërkuara nga vet qytetarët. 
Në prezantimin e tij, z. Agron Maxhuni, Drejtor Ligjor në Ministri të Administrimit të Pushtetit Lokal theksoi se, “legjislacioni aktual ofron mundësi të gjëra në fushën e BNK, si në nivel vendi ashtu edhe në nivel ndërkombëtar (…) Parimi themelor për BNK është efektiviteti, dhe ekonomiciteti, ndërsa objektivat për hyrje të komunave në BNK bazohen në vullnet dhe interes të përbashkët në fushat sikurse zhvillimi socio-ekonomik, zhvillimi dhe shfrytëzimi i tokës, mbrojtja  e mjedisit, planifikimi.”

Të drejtën e bashkëpunimit ndër komunal e kanë: Kryetari i Komunës, Kuvendi i Komunës, Qytetarët (me së paku 5% me të drejtë votë), dhe Qeveria. “Kryetari i komunës duhet të jetë kreativ”.  Ndërkaq në fund duke prezantuar rregullativën ligjore për bashkëpunim ndër-komunal z. Maxhuni theksoi se komunat shumë pak po përdorin mundësit që jep ky ligj për ofrimin e shërbimeve.

Lini një Përgjigje