You are currently viewing Mbështetja për komunat përtej formulave duhet të ketë parasysh kontekstin

Mbështetja për komunat përtej formulave duhet të ketë parasysh kontekstin

Në kuadrin e vizitave që po zhvillohen në komunat e Kosovës, përfaqësuesit e Institutit KLGI vazhduan me takimin e radhës ku u pritën nga nën-kryetari i Komunës së Mitrovicës, z. Faruk Mujka.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, z. Besnik Tahiri, njoftoi nënkryetarin Mujka për punët dhe angazhimet e Institutit, më specifikisht për programin e ri në “Mbështetje të Komunave të Forta dhe të Qëndrueshme” i cili përkrahet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë.

Ndërkaq, nënkryetari Mujka foli për përkushtimin e lidershipit komunal në lidhje me një transformim që i duhet bërë Mitrovicës dhe jo vetëm në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm por edhe planifikimit strategjik. Për këtë, përpos që falënderoi Institutin KLGI për gjithë mundësitë që i ka dhënë në platformat trajnuese, z. Mujka kërkoi mbështetje edhe më të madhe në funksion të zhvillimit të kapaciteteve për thithjen e investimeve duke pasur parasysh edhe kontekstin politik dhe ekonomik që ka kjo komunë.

Nisur nga përvoja personale, nënkryetari Mujka theksoi se qasja që përdor Instituti në trajnime jo vetëm se ofron një gamë të gjerë të njohurive dhe përvojave, por para së gjithash është një mjet që i shtyn të trajnuarit të integrojnë brenda punëve të tyre mësimet e nxjerra nga programi. Dhe për këtë, është mundësi shumë e veçantë që në mbështetje të partnerëve dhe donatorëve Instituti KLGI të vazhdojë me platformat e avancuara të trajnimit.

Z. Mujka kërkoi që Instituti të marrë rol proaktiv në mbështetje të programeve që zhvillon komuna e Mitrovicës duke eksploruar mundësitë në mënyrë që pengesat që i janë shkaktuar Mitrovicës nga problemet politike dhe ekonomike të nisin me zgjidhje praktike që do të prodhonin incentiva të komunës karshi donatorëve dhe projekteve që zbatohen nga skemat zhvillimore, qoftë të BE-së apo edhe fondeve tjera strukturore, zhvillimore të kthehen jo vetëm në mundësi zhvillimi por në forcimin e kohezionit social në këtë komunë.

Konteksti si i tillë, komunës së Mitrovicës i është kthyer në barrë jo vetëm në menaxhimin e detyrave që i dalin, por parasegjithash si nevojë për zhvillim të qëndrueshëm dhe nxënien e hapave për zhvillim të barabartë. Këtu nuk përjashtohen as mbingarkesa që është lënë barrë në administratë e që për rrjedhojë reflekton në pengesë të madhe, qoftë në kapacitetet për investime apo edhe për shërbime efikase.

Andaj, duke pasur parasysh bashkëpunimin e qiltër me Institutin shprehim vullnetin e plotë që në mënyrë pro-aktive të adresojmë sfidat reale me të cilat përballet komuna e Mitrovicës.

Ndërkaq, Tahiri theksoi se Instituti KLGI nga puna e gjatë me komunat, jo vetëm që shërben si një platformë trajnimi e mbështetje por parasëgjithash në punën e tij është mishëruar me sfidat e komunave. Këtu para se ta bëjë kritikën ai trajton kontekstin, ndërkaq para se të ofrojë mbështetjen ai bënë analizën dhe merr informatën nga dora e parë. Kështu që puna e Institutit është një refleksion direkt i kërkesave dhe nevojave që burojnë direkt nga komunat dhe palët me interes. 

Lini një Përgjigje